Konferenca për arsimin e lartë | Foto: KALLXO.com

Agjencia e Akreditimit-Kritika për Arsimin e Lartë

Agjencia e Kosovës për Akreditim e konsideron shqetësuese mungesën e stafit akademik në institucionet e akredituara të arsimit të lartë.

Në konferencën e organizuar prej saj, ku u diskutua për mënyrat se si të sigurohet cilësi në këtë arsim, u fol për problemet e arsimit të lartë kosovar.

Kryetari i Këshillit Shtetëror për Cilësi, Blerim Rexha shprehu shqetësim për mospërshtatjen e programeve në arsimin e lartë me nevojat e tregut të punës.

“Studentët duhet të kërkojnë edhe më shumë nga mësimdhënësit e tyre, të kërkojnë edhe më shumë dije dhe më shumë kompetenca. Vendet e reja të punës në Kosovë do të krijohen vetëm në sektorin privat për të cilin dija dhe kompetenca janë kërkesat  kryesore,” deklaroi Rexha.

Ndërkaq, Ministri i Arsimit , Arsim Bajrami mbështeti mendimin për ngritje të cilësisë së programeve në universitete dhe kolegje të Kosovës.

“Kemi ndërruar logjikën e të menduarit, kemi ndërruar edhe pritjet. Nuk kërkojmë gjithëpërfshirje ,por kërkojmë cilësi, standard, sepse përfshirja e numrit të studentëve krahasuar me shtetet e tjera nuk është e keqe. Kemi 120 mijë studentë,” tha Bajrami.

Megjithatë, ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler që ka qenë i angazhuar drejtpërdrejtë në këtë fushë duke pasur anëtarë të saj në Agjencinë për Akreditim, tha se sheh potencial në arsimin e lartë në Kosovë.

“Arsyeja pse Austria është aq shumë e fokusuar në fushën e arsimit është sepse ne mendojmë që kjo është një prej potencialeve më të mëdha që Kosova ka dhe kjo është arsyeja që do të mbesim aktivë në këtë fushë edhe në vitet e ardhshme,” tha Pfandler.

Agjencia e Kosovës për Akreditim  ka për qëllim akreditimin e universiteteve publike dhe kolegjeve private në Kosovë në bazë të kritereve të parapara me ligj.

Gjatë vitit të kaluar akademik Agjencia e Kosovës për Akreditim  nuk ka akredituar 71 programe të arsimit të lartë për mospërmbushje të kritereve.

Disa ish-zyrtarë të kësaj agjencie janë duke u gjykuar për shpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti.

http://kallxo.com/basri-muja-me-kerkoi-para/