ARKIV - Mbledhja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Agjencia e Akreditimit ankohet për presione nga kolegjet private

Agjencia e Kosovës për Akreditim po ankohen se kanë pranuar presione të shumta nga disa institucione private të arsimit të lartë, si pasojë e mosakreditimit të disa programeve të tyre.

“Gjatë këtyre katër muajve prej emërimit nga ana e Kuvendit të Kosovës KSHC-së dhe stafi i AKA-së kanë funksionuar në kushte të rënduara, për shkak të presioneve të shumta joparimore nga një numër i kufizuar i institucioneve të arsimit të lartë. Ky presion është ushtruar në forma të ndryshme, presion në portale ndaj anëtarëve të caktuar të KSHC-së, presion në takime të drejtpërdrejta me personelin dhe anëtarët e KSHC-së, kërcënime me akuza para organeve gjyqësore, denoncime të shpeshta në autoritetet arsimore e shtetërore, presion në medie dhe portale të afërta me institucione të caktuara e të tjera.”, thuhet në deklaratë.

Ata thonë se programeve që iu është hequr akreditimi nuk kanë plotësuar as kushtet minimale të kërkuara në kornizën ligjore që nënkupton të kenë së paku një mësimdhënës/e me kualifikim doktor në fushën përkatëse të programit të studimit për çdo 60 kredi ECTS.

Në kuadër të Agjencisë së Akreditimit funksionon Këshilli Shtetëror i CIlësisë, të cilat kanë kompetenca për akreditimin apo jo të institucioneve private.

Udhëheqësi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Gazmend Luboteni tha për KALLXO.com është edhe Kolegji ISPE që ka ushtruar presion edhe para marrjes së vendimit për anulimin e akdredimit të disa programeve.

“Kolegji ISPE edhe para marrjes së vendimit të fundit për mosakreditimin e disa programeve të saj të cilat nuk i kanë plotësuar kriteret sipas dispozitave ligjore në fuqi ka tentuar të bëj presione. Letrat e tilla publike e madje edhe dërgimi i një letre vetëm anëtareve ndërkombëtarë të KSHC- së është presion i llojit të vet. Këto veprime të kolegjit ISPE i konsiderojmë të papranueshme dhe të dëmshme pikërisht në momentin kur AKA është duke punuar shumë seriozisht për aplikimin e standardeve më të larta evropiane për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë.”, tha Luboteni.

Kolegji ISPE disa herë ka lëshuar letra publike duke pretenduar se KSHC-ja ia kanë bërë padrejtë atyre gjatë procesit të akreditimit.

Sipas këtij njoftimi, Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka pasur presion edhe nga ushtruesja e detyrës së drejtorit të AKA-së, pasi që synonte mbështetjen e kundërligjshme të disa kolegjeve.

“KSHC është përballur edhe me një ushtruese të detyrës së drejtorit të AKA-së që duke synuar të lakojë ligjin në interes të kolegjeve të caktuara ka vepruar kundërligjshëm dhe ka shantazhuar anëtarët KSHC-në, rast ky të cilin AKA e ka proceduar në Policinë e Kosovës. KSHC bënë të ditur se ky presion ka ardhur kryesisht nga një institucion privat i arsimit të lartë me bashkëpjesëmarrje të kohëpaskohshme të një apo dy institucioneve të tjera”, deklarojnë AKA.

KSHC thotë se reagimi i MASHT-it ndaj kolegjit privat ISPE, vjen si rrjedhojë e raportimeve të këtij agjencioni para Komisionit parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport.

“Duhet theksuar se këto standarde nuk kufizohen vetëm në kërkesat për personelin akademik. Institucionet e arsimit të lartë duhet t’i studiojnë me kujdes të gjitha dispozitat në fuqi, e sidomos Udhëzimin Administrativ për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe Udhëzuesin për Akreditim të miratuar tash së voni nga KSHC.”, vazhdon më tej njoftimi.

AKA thotë se inkurajojmë institucionet e arsimit të lartë që të bashkohen në përpjekjet për sigurimin e cilësisë në përputhje me dispozitat ligjore dhe standardet evropiane. Sepse siç thonë ata, rrugë tjetër nuk ka.

https://kallxo.com/orca-reagon-ndaj-presioneve-ne-agjencine-e-kosoves-per-akreditim/

https://kallxo.com/ministri-bytyqi-kolegji-ispe-po-me-ben-shantazh/

https://kallxo.com/ispe-reagon-ndaj-deklaratave-te-ministrit-bytyqi-per-shantazh/