Agim Veliu, kryetar i komunës së Podujevës

Agim Veliu Fajëson Qeverinë për Punët e Pabëra

Në debatin për Podujevën, në kuadër të emisionit “Jeta në Komunë”, Agim Veliu ka folur për punët e bëra dhe të pabëra gjatë dy viteve të para të mandatit të tij.

Agim Veliu nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka qeverisur në Komunën e Podujevës për tri mandate.

Kuvendi i komunës së Podujevës ka 35 asamblistë, 18 prej tyre nga radhët e LDK-së dhe të tjerët nga PDK, VV, LB dhe G+.

Edhe pse në sallë dukej një numër i konsiderueshëm i asamblistëve nga opozita, vetëm disa nga ta ishin të zëshëm. Debati u zhvillua kryesisht nga Haki Rudari nga Lëvizja Vetëvendosje, Rafet Llapashtica nga Partia Demokratike e Kosovës, Bahri Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje e ndonjëherë edhe nga Flakron Gashi nga radhët e PDK-së.

Çështja e parë që u ngrit ishte trajtimi i ujërave te zeza dhe pastrimi i shtratit të lumit “Llap”. Kryetari i Podujevës Agim Veliu kishte premtuar se brenda dy viteve të para të mandatit të tij, do të trajtoheshin ujërat e zeza, mirëpo ai para Jeta Xharrës dhe asamblistëve te kuvendit pranon që nuk ka arritur ta përmbushë premtimin e dhënë, edhe pse fajin e hedh diku tjetër.

“Fatkeqësisht ne nuk kemi qenë të përkrahur në këtë aspekt, nga niveli qendror, dhe nuk kemi qenë të përkrahur as nga donatorë të ndryshëm”, thotë Veliu.

Mirëpo, faktin që komuna nuk ka pasur mjete që t’i trajtojë ujërat e zeza e mohon asamblisti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Rudari.

“Arsyetimi që nuk kemi pasur përkrahje nga niveli qendror nuk qëndron sepse komuna jonë ka 5 milion e 900 mijë euro investime kapitale”, thotë Rudari

Rafet Llapashtica nga Partia Demokratike e Kosovës thotë se përkundër faktit që Veliu po qeverisë me Podujevën që tri vite, ai nuk ka ndërmarrë asgjë lidhur me ndalimin e kanalizimeve që derdhen në lumin Llap.

“As drejtoria përkatëse e as kryetari nuk janë marrë me atë zone, edhe pse ka pasur ankesa”, ka thënë Llapashtica.

Ndërkaq kryetari ka thënë që shtrati i lumit në pjesë të madhe është pastruar nga ujërat e zeza sepse është arritur që të shtrijnë rrjet të kanalizimit për ma tepër se 25 kilometra nga qyteti nëpër fshatra.

“Të gjitha derdhjet e ujërave të zeza, bëhen në pjesën e poshtme të lumit “Llap” që është një shqetësim jashtëzakonisht i madh për të gjithë ne”, deklaroi Veliu.

Premtimi tjetër që kryetari pati dhënë në zgjedhjet e fundit ishte zhvendosja e stadiumit të qytetit në një lokacion tjetër, premtim ky i cili nuk është përmbushur deri më tani. Përveç kësaj, Podujeva nuk e ka as stadiumin e vjetër të saj edhe pse kryetari pretendon që ky stadium do te rinovohet brenda këtij viti.

Sipas tij, arsyeja pse stadiumi nuk është zhvendosur siç është premtuar, qëndron tek problemi se para disa viteve është ndarë një parcelë për një grup të cilët nuk kanë pasur mundësi që të investojnë, të cilët ne fund janë shpërndarë.

“Pas periudhës kohore që kërkon ligji ne kemi marrë veprime dhe e kemi kthyer atë parcelë, mirëpo kanë dalë pretendime pronësore, dhe ajo lëndë është në procedura dhe nuk ka përfunduar ende”, shpjegon Veliu.

Ndërsa në lëmin e arsimit u diskutuan dy çështje, përfshirë mungesën e infrastrukturës nëpër shkolla si dhe politizimin e kuadrit të mësimdhënësve.

Edhe pse kryetari ka rinovuar tri shkolla , “Afrimi e Fahriu” në Lluzhan, “Kongresi i Manastirit” në Podujevë dhe “Fan Stilian Noli”,  ashtu siç kishte premtuar gjatë zgjedhjeve, shumë shkolla të tjera mbeten në gjendje të rëndë.

Rafet Llapashtica nga PDK tha se shumë shkolla në komunën e Podujevës janë në gjendje të mjerueshme duke cekur kështu njërën nga shkollat në të cilën drejtor i saj kishte qenë, drejtori i tanishëm i arsimit Avni Maloku.

“Politizim të skajshëm ka bë drejtori, ish drejtori Rudari dhe drejtori Maloku, e ka skandalizuar arsimin ku e ka pru notën mesatare 1.8 në Podujevë duke punësuar profil të arsimit me shkollë të mesme, për një votë në kuvend”, tha Llapashtica.

Flakron Gashi nga Partia Demokratike e Kosovës tha se Veliu po fajëson qeverinë për mos punën e tij.

“Agim Veliu e din shumë mirë që është bashkëhisedar me Nexhmi Rudarin dhe Avni Malokun si shkelës degradues të arsimit në Komunën e Podujevës”, tha Gashi.

Ndërkaq Veliu tha se me këtë program për arsim ka dalë para qytetarëve dhe ata e kanë mbështetur, dhe është shumë normale të punojë më programin që ka pasur bekimin e qytetarëve.

“Mos pritni ju që unë do t’i fitoj zgjedhjet, dhe ju do t’i bëni politikat”, tha kryetari.