Mbledhja e sotme e asamblesë komunale të Mitrovicës

Agim Bahtiri u Kërkon Falje Këshilltarëve të PDK-së

 

Akuzat dhe kundërakuzat e karakterizuan sot mbledhjen e Asamblesë Komunale të Mitrovicës, në seancën e rregullt.

Fillimisht grupi i kuvendarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, nëpërmjet shefit të tyre Rrustem Musa, kërkuan nga Kryetari i Komunës Agim Bahtiri, që të kërkojë falje publike për disa deklarime që ky i fundit i ka bërë në media duke i quajtur zyrtarët e PDK-së në Mitrovicë si “njerëz të haraçit”.

“Ne nuk do jemi pjesë e këtij kuvendi nëse Kryetari Bahtiri nuk kërkon falje publike për fyerjet që na i ka bërë duke deklaruar së PDK-ja e Mitrovicës janë hajna dhe haraqexhinj”, theksoi Musa.

Kryetari Bahtiri tha se edhe ai është etiketuar nga zyrtarët e PDK-së në Mitrovicë si “mashtrues e analfabet”.

“Unë kërkoj falje nëse e kam thënë një gjë të tillë mirëpo unë e kam pasë fjalën për disa individë të cilët ende vazhdojnë të shkruajnë për mua fjalët që i permenda”, tha Bahtiri.

Dhe pas më shumë se një orë diskutime deri të aprovimi i rendit të ditës, radha i erdhi  Drejtorit të Inspeksionit, Naim Hajra, për raportimin që ishte kërkuar kohë më parë nga PDK-ja  rreth kaosit në qytetin e Mitrovicës dhe një ere të rendë kundërmuese që kohë pas kohe po shfaqet në qytet.

Një raportim të tillë e kishte kërkuar Eset Ujkani nga PDK-ja dhe ky raportim ishte bërë shkak që seanca e para një muaji të nderprehet pasi që këshilltarët e PDK-së e kishin lëshuar sallën.

Ishte po Eset Ujkani që sot tha së ky raport nuk është i detajuar dhe si i tillë lë shumë për të dëshiruar.

Edhe Latif Latifi nga Vetëvcendosje tha se drejtorit iu ka perzier qyteti sepse ky raportim nuk përkon me situatën aktuale të Mitrovicës.

Ndërsa Rrustem Musa nga PDK-ja kërkoi shkarkim e drejtorit Hajra.

Drejtori Hajra, pasi që u përgjigj në pyetjet e asambleistëve rreth raportimit të drejtorisë së tij, theksoi se kërkesa nga PDK-ja për shkarkimin e tij është e padrejtë.

Kuvendi gjithashtu debatoi  edhe për një pronë të familjes Abrashi.

Faruk Mujka nga Vetëvendosja kërkoi sqarime pse nuk po futet në rend të ditës çështja e ndërtimit të ndertesës përballë me komunën pasi që “me ndërtimin e saj, një parcelë ka mbetura pa rrugë”.

“Po kërkojmë të dimë pse nuk po futet në rend të ditës çështja e kësaj ndërtese përballë me Komunën, pronë e familjës Abrashi dhe pse dikujt i është dhënë leja e ndertimit e dikujt po i mohohet, dhe të shikohet qysh ka mbetur pa rrugë parcela në fjalë”, theksoi Mujka.

I të njëjtit mendim ishte edhe shefi i grupit të PDK-së Rrustem Musa dhe shefi i LDK-së, Bekim Muja.

Ndërsa Kryetari Agim Bahtiri u premtoi së në seancën e janarit do të kompletohet dokumentacioni dhe do të diskutohet kjo çështje.

“Aty ka edhe probleme në mes të familjarëve, por gjithsesi ne do ta shikojmë së si i është dhënë leja e ndërtimit”, tha Bahtiri.