Rrënimi në Mitrovicë - Foto: KALLXO.com

Agim Bahtiri tregon pse u rrënuan shtëpitë te Liqeni Akumulues dhe edhe sa do të rrënohen

Projekti i ndërtimit të liqenit artificial në Suhodoll, i financuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me 4.5 milionë euro, është arsyeja e rrënimit të shtëpive sot në qytetin e Mitrovicës.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri.

Bahtiri duke shprehur keqardhje për rrënimin e shtëpive ka thënë se kjo është bërë për shkak të projektit i cili është i paraparë të vazhdojë në atë pjesë.

“Së pari me vjen keq që unë duhet me i rrënu e me marrë një hap të tillë që është në dëm të dikujt privat por megjithatë është një projekt madhor të cilin ne e kem filluar dhe ai duhet mbaruar. Në mungesë të hapësirës për të vepruar në një projekt e kemi parapa atë tokën e Komunës e cila është me gjelbërim dhe gjëra të bukura, dhe ai projekt është disa milionësh. Ne nuk mundemi ta humbim projektin për disa individë”, ka thënë Bahtiri.

Bahtiri ka shtuar se gjithë aksionin e kanë bërë përmes procedurave gjyqësore.

“Në pronat e Komunës me maru dikush ndërtesë apo shtëpi është e pamundur dhe ne i kemi shkuar në mënyrë procedurale, gjyqësore, i kemi fitu të gjitha gjyqet për arsye se s’ka gjyq që mundet t’i japë të drejtë dikujt që të ndërtojë shtëpi në pronën e Komunës. Kështu që projekti madhor nuk është vetëm për individ por për të gjithë qytetaret”, ka shtuar tutje Bahtiri.

Gjithashtu i pari i Mitrovicës ka sqaruar se deri më tani janë rrënuar të gjitha shtëpitë të cilat kanë qenë në projekt.

“Ne kemi edhe disa shtëpi për t’i rrënuar dhe atë vend do ta bëjmë jashtëzakonisht atraktiv për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kështu që unë kërkoj falje të gjithë atyre të cilët janë prekur nga ky vendim mirëpo është e pamundur të mos rrënohen ato shtëpi sepse janë në një pjesë ku ne kemi shpallur projekt madhor për qytetin e Mitrovicës”, ka shtuar tutje Bahtiri.

Gjithashtu, Agim Bahtiti ka thënë se banorët kanë qenë të paralajmëruar disa herë paraprakisht për këtë veprim.

“Ata njerëz kanë qenë të paralajmëruar disa herë. Ne jemi munduar që në mënyre miqësore që ata vetë t’i largojnë sendet të cilat i kanë pasur brenda por edhe disa pjesë tjera që dëshirojnë me i marr por nuk kemi gjetur zgjidhje dhe ne i kemi paralajmëruar me kohë”, tha Bahtiri për KALLXO.com.

Sipas kryetarit, deri tani janë rrënuar 14 shtëpi ndërsa pritet të rrënohen edhe 15 të tjera.

KALLXO.com raportoi sot për rrënimin e shtëpive në zonën e Liqenit Akumulues.

Pronari i një shtëpie e ka kundërshtuar këtë aksion duke thënë se lidhur me shtëpinë e tij ka proces gjyqësor të papërfunduar.

Njazi Çitaku, tha se Komuna po e anashkalon një vendim të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

”Edhepse jemi banorë të pjesës veriore të qytetit me prona të uzurpume komuna e ka pa të arsyeshme që me na e rrënue objektin e banimit këtu. në dorë e kam edhe konkluzionin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e cila i suprimon të gjitha aktivitetet në rrënimin e këtyre objekteve banesore mirëpo të cilën Komuna e ka anashkaluar edhe pse landa është ende në gjyq nuk ka pas as një shqyrtim këta e kanë shkelur këtë vendim të mjedisit si shkallë e dytë në këtë proces edhe kanë ardhë në ekzekutim”, tha ai për KALLXO.com