Agim Bahtiri Kundër Taksës në 'Rrugën e Kombit'
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, është shprehur kundër taksës në “Rrugën e Kombit” duke thënë se kjo taksë rrugore nuk i bën nder Shqipërisë, sidomos kur merret parasysh gjendja e vështirë ekonomike e Kosovës dhe e qytetarëve të veriut të Shqipërisë.
“Përderisa Kosova dhe Shqipëria po aspirojnë integrimin në BE, ku do t’iu bashkohemi shteteve më të zhvilluara, është e pakuptueshme dhe e patolerueshme vënia e pagesave për lëvizjen e lirë në mes popullit shqiptar të Kosovës dhe Shqipërisë”, ka shkruar Bahtiri në Facebook.
Kryetari i Mitrovicës e ka thënë këtë pas një takimi me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.
“Bashkëbiseduam për rritjen e bashkëpunimit me Kosovës dhe Shqipërisë, pasi që më shumë se kurrë kemi nevojë për përafrim”, ka shkruar Bahtiri.
Ai më tej ka theksuar se ishte dakordim i përbashkët që nuk duhet të ketë barriera mes të vendeve, aq më pak taksë rrugore, e cila e dëmton jashtëzakonisht shumë lëvizjen Kosovë – Shqipëri.
Pas vendosjes së taksës në “Rrugën e Kombit”, u dogjën pikat ku bëhej pagesa te tuneli i Kalimashit në një protestë që nisi e qetë, por u shndërrua në të dhunshme.
http://kallxo.com/protestuesit-shkaterrojne-sportelin-e-pageses-ne-rrugen-e-kombit/
Në orët e para të mëngjesit të ditës së nesërme Policia e Shqipërisë kishte filluar të zbatonte urdhërat e ndalimit për personat e dyshur që kishin dëmtuar pikat e pagesës në “Rrugën e Kombit”.
Pas arrestimit të qytetarëve të Kukësit me rrethinë, opozita së bashku me qytetarë të shumtë kanë protestuar për orë të tëra para komisariatit të Tiranës duke kërkuar lirimin e të arrestuarve.
Pak ditë më vonë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se nuk do të vendoset sistemi i pagesës në “Rrugën e Kombit” për banorët e zonës së Kukësit, pa e bërë zgjidhjen më të mirë të mundshme.
“Vendimi ynë është i qartë, ne nuk do të fillojmë sistem të pagesës pa vënë zgjidhjen më të mirë të mundshme për atë zonë. Është një punë e vështirë pasi në këtë proces kemi vendosur edhe ekspertë të huaj”, ka thënë Rama.