Agim Bahtiri i drejtohet kryeministrit: Të ndërhyjë Njësia Speciale në Vallaq

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri  ka reaguar për mungesën e energjisë eklektike pas djegies së trafo stacionit në ‘Trepçë’ para tri ditëve.

Bahtiri ka thënë se situata po bëhet më e rëndë, pasi po ndikon moti i acartë i cili po ua vështirëson jetën qytetarëve.

Ai ka thënë se kyçja e energjisë elektrike në Vallaq po pengohet nga serbët.

“Ekipet përgjegjëse për rregullimin e avarisë e kanë kryer punën e vet, duke përgatitur terrenin për kyçje në nënstacionin e energjisë elektrike në Vallaq, por që kyçja po pengohet nga serbët e instrumentalizuar prej strukturave famëkeqe në veri”, ka shkruar Bahitiri në postimin e tij në facebbok.

Bahtiri i është drejtuar kryeministrit Ramush Haradinaj duke i thënë se shteti i Kosovës nuk mund të rrijë duarkryq përballë kësaj situate.

“Ju duhet të ndërmerrni të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe operative për ta mundësuar kyçjen e rrymës në Vallaq, ku nëse është e nevojshme duhet të intervenohet edhe me anë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës”, ka shkurar Bahtiri.

Në postimin e tij, Bahtiri ka shtuar se qytetarët e Mitrovicës në këto ditë të ftohta janari nuk mund ta durojnë situatën me mungesë të rrymës, prandaj shteti duhet të ndërhyjë sa nuk është bërë vonë.