Nënshkrimi i marrëveshjes për zbritjen e çmimit të derivateve për fermerët e komunës së Mitrovicës, Foto: Komuna e Mitrovicës

Agim Bahtiri dakordohet me 'HIB Petrol' për naftë më të lirë për bujqit

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Ekrem Sadiku kanë mbajtur një takim informues me fermerët e komunës.

Në këtë takim të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit BPB-së si dhe përfaqësues nga ‘HIB Petrol’.

Fillimisht Drejtori i Bujqësisë, Ekrem Sadiku ka njoftuar fermerët lidhur me marrëveshjen e arritur në mes të Komunës së Mitrovicës dhe BPB-së për kreditimin e fermerëve, për të cilët komuna do të paguaj interesat e kredive (kamatën) që fermerët do i marrin nga BPB-ja.

Përmes një komunikate, komuna e Mitrovicës ka njoftuar që sipas kësaj marrëveshje fermerët nuk do të paguajnë asnjë cent për shërbimet administrative.

Komuna e Mitrovicës dhe BPB-ja me këtë marrëveshje janë pajtuar që shuma minimale për kreditë e dhëna të jetë 5.000 euro, ndërsa ajo maksimale 10.000 euro, kurse në raste të veçanta, kur fermeri ka projekt të madh e të rëndësishëm, financimi do të jetë më i madh.

Ndërsa me rastin e dhënies së kredive për fermerët, BPB do të merr parasysh vlerësimin e Komisionit Komunal për caktimin dhe zgjedhjen e fermerëve të cilët financohen sipas kësaj Marrëveshje.

Po ashtu gjatë këtij takimi u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi me përfaqësues të ‘HIB Petrol’ për të ofruar lehtësira, gjegjësisht çmim më të lirë për derivatet e naftës për bujqit mitrovicas.

Komuna e Mitrovicës për herë të parë po ndërmerr një marrëveshje të tillë për të zvogëluar sadopak shpenzimet e bujqve mitrovicas.

Komuna dhe  përfaqësuesit e ‘HIB Petrol’, janë dakorduar që për bujqit mitrovicas të ketë një zbritje prej 5 cent në litër të derivateve të naftës në çdo pikë ku kjo kompani operon

Kryetari Bahtiri, i cili fillimisht përshëndeti fermerët mitrovicas, theksoi se në vazhdën e mbështetjes së sektori të bujqësisë, komuna është zotuar që të përkrahë dhe të ofrojë ndihmë për fermerët, në mënyrë që të rriten kapacitetet prodhuese dhe që produktet e tyre të jenë konkurrente, jo vetëm në tregun tone, por edhe në atë rajonal.

“Që nga ardhja ime si kryetar, komuna, në vazhdimësi kemi treguar interes për sektorin e bujqësisë duke realizuar shumë projekte me rëndësi. Sot fermerët e komunës së Mitrovicës janë në pozitë shumë më të mirë se dje, pasi që ju kemi krijuar lehtësira të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe kreditimin në kushte shumë të volitshme dhe zbritje e çmimit për derivate ”, tha Bahtiri.