Afrohet Marrja e Vendimit për Karaxhiqin

Vendimi më i shumëpritur i vitit, në çështjen kundër Karaxhiqit për gjenocid në Srebrenicë në vitin 1995 dhe komunat tjera në vitin 1992, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë vendin, terrorizimin e popullsisë së Sarajevës dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së është planifikuar të merret tremujorin e parë të vitit 2016.

Gjykimi i Karaxhiqit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë filloi në vitin 2009. Ai ishte në arrati për më shumë se një dekadë pas përfundimit të luftës boshnjake.

Rreth 600 dëshmitarë dhanë dëshmi dhe gjyqtarët duhet të marrin në konsideratë mbi 11,000 dëshmi dhe dhjetëra mijëra faqe prova të shkruara në një gjyq të cilin kryetari i trupit gjykues e përshkroi si “të paparë” në shkallën e tij.

Vendimi për Karaxhiqin pritet me padurim në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku shumë njerëz janë sidomos të interesuar të zbulojnë nëse ish-lideri i serbëve të Bosnjës do të shpallet fajtor për gjenocid në vitin 1992 në komunat Bratunac, Foca, Kljuc, Prijedor, Sanski Most, Vlasenica dhe Zvornik.

Kjo akuzë u hodh poshtë nga gjyqtarët në vitin 2012, por u rikthye në fuqi vitin më pas, kur gjykata tha se provat e paraqitura nga prokuroria “mund të tregojnë se Karaxhiqi kishte qëllim gjenocidial”.

Prokurorët kanë kërkuar një dënim me burgim të përjetshëm. Por në deklaratën përfundimtare të Karaxhiqit para gjykatës në tetor 2014, ai pranoi se gjatë luftës së viteve 1992-1995 janë kryer krime, por këmbënguli se ai s’i ka urdhëruar kurrë ato.

“E kam ndërgjegjen e pastër dhe zemrën e qetë, sepse unë nuk doja luftë,” tha ai.

Prokuroria megjithatë argumentoi se ai ishte përgjegjës për organizimin e gjenocidit, dëbimit me dhunë dhe përndjekjes në një shkallë masive me qëllim shkatërrimin e të gjithë komunitetin boshnjak.

“Kur mijëra veta vriten dhe mijëra të tjerë traumatizohen dhe ndalohen, pjesa më e madhe e shtëpive dhe vendet e tyre të lutjes shkatërrohen, pjesa tjetër zhvendosen në të gjithë botën, mund të përcaktohet shumë qartë qëllimi për të shkatërruar komunitetin nga ato veprime,” tha prokurori Alan Tieger .

Shoqatat e viktimave në Bosnjë dhe Hercegovinë druhen se cilidoqoftë vendimi, ai do politizohet.

Fikret Grabovica, kryetari i Shoqatës së Prindërve të Fëmijëve të Vrarë Gjatë Rrethimit të Sarajevës, druhet se vendimi mund të përdoret nga politikanët në vend për të shkaktuar paqëndrueshmëri.

“Roli i institucioneve gjyqësore në Hagë dhe në nivel lokal është të dënojnë në bazë të ligjit dhe të japin dënime të drejta. Megjithatë, ne e dimë se disa vendime të marra kanë qenë politike,” tha ai për BIRN-in.

Disa muaj pas vendimit të Karaxhiqit, dhoma e apelit e ICTY-së duhet të japë vendimin përfundimtar në çështjen e ish-zyrtarëve serbë të Bosnjës Mico Stanisiq dhe Stojan Zupljanin, të cilët akuzohen për vrasje dhe dëbim të boshnjakëve dhe kroatëve nga rajoni i Krajinës në veri të Bosnjës dhe Hercegovinës. Të dy burrat fillimisht u dënuan me 22 vjet burg.

Problemi me Sheshelin

ICTY-ja këtë vit duhet të vendosë si të vazhdojë me çështjet e krimeve të luftës kundër liderit të Partisë Radikale Serbe Vojisllav Sheshel dhe ish-kreut serb të Kroacisë Goran Haxhiq.

Vendimi për Sheshelin për krimet në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kroaci ishte planifikuar të merrej në tetor 2014, por u shty pasi një nga gjyqtarët në gjyq u hoq sepse dyshohej për njëanshmëri.

Politikani më pas u lirua përkohësisht në Serbi për t’u kuruar nga kanceri, duke shkaktuar edhe më shumë vonesa në gjyqin maratonë.

Pasi ai organizoi një sërë mitingjesh nacionaliste dhe bëri deklarata publike provokuese që zemëruan viktimat e luftës, ICTY-ja u përpoq ta merrte atë përsëri në paraburgim në Holandë në vitin 2015.

Por autoritetet e Beogradit deklaruan se shëndeti i Sheshelit ishte përkeqësuar aq shumë saqë ai nuk ishte në gjendje të udhëtonte, ndërsa lideri i Partisë Radikale Serbe tha se ai do t’i rezistojë përpjekjeve për ta detyruar atë që të kthehet në paraburgim.

“Nuk do të shkoj me dëshirë. Ata vetëm mund të më mbajnë në krahë deri të aeroplani për në Hagë,” tha ai në prill.

ICTY-ja ka caktuar ta marrë vendimin e Sheshlit në tremujorin e parë të vitit 2016, por mbetet ende të shihet nëse ky afat do të plotësohet dhe se si do të programohet rikthimi i tij.

Një tjetër çështje me një datë të pasigurt përfundimi është ajo kundër Haxhiqit, gjyqi i të cilit për krime në Kroaci është shtyrë për shkak të shëndetit të tij të keq që nga tetori 2014.

Haxhiq tani është kthyer në Serbi ku po i nënshtrohet trajtimit mjekësor.

Në raportin e saj të fund vitit për Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kryeprokurori i ICTY-së Serge Brammertz tha se zyra e tij “po ndiqte të gjitha mundësitë e arsyeshme për të lejuar përfundimin e gjykimit të Haxhiqit”.

Brammertz paralajmëroi gjithashtu se shumë nga stafi i prokurorisë së Hagës janë rekrutuar nga Zyra e Prokurorit të Mekanizmit për Gjykatat Ndërkombëtare Penale, MICT – institucioni i ngarkuar për përfundimin e punës së gjykatës së OKB-së për krime lufte, pasi ajo mbyllet brenda dy vjetësh.

Si përfundim, në gjysmën e parë të vitit 2016, pritet të mbarojë edhe dëgjimi i provave në gjyqin e  Mlladiqit – çështja e fundit e plotë që do të mbahet në Gjykatën e Hagës.

Mlladiq, ish-komandanti i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, akuzohet për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës.