Eksperti i forenzikës duke kërkuar për të dhëna në vendin ku ka ndodhur sulmi në Vjenë - Foto: REL/AP

Afgani Pranon Kryerjen e Sulmeve me Thikë Në Vjenë

Autoritetet austriake kanë thënë se afgani 23 vjeçar ka pranuar therjen me thikë të katër personave në Vjenë, me arsyetimin se “ka qenë shumë i shqetësuar për situatën e jetës së tij”.

Policia ka thënë më 8 mars se i dyshuari, emri i të cilit nuk është bërë publik, ka pranuar therjet e një 20 vjeçi afgan dhe tre anëtarëve të një familjeje tjetër.

Emrat e viktimave po ashtu nuk janë bërë të ditur.

I dyshuari është ndaluar shumë pak kohë pasi ka therur një 20 vjeçar në kryeqytetin austriak, ka thënë policia.

Autoritetet kanë thënë se motivet e sulmit ndaj tre anëtarëve të një familje nuk janë bërë të ditura.

Mirëpo ata kanë thënë se i dyshuari e ka njohur burrin afgan, duke thënë se e ka sulmuar pasi “ai e mban atë përgjegjës për varësinë e tij ndaj drogës në të kaluarën”.

I dyshuari po ashtu ka thënë se ai ka qenë në “disponim të keq dhe i shqetësuar për situatën e jetës së tij”, kur ka kryer sulmet, ka njoftuar policia. (REL)