Afërdita Bytyqi: Burrat ta luftojnë pabarazinë, të mos prononcohen sa për sy e faqe

Kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Afërdita Bytyqi ka kërkuar që të luftohet diskursi patriarkal në shoqërinë kosovare e për këtë ka kërkuar ndihmë nga burrat që bartin pozita publike.

“Unë jam pro asaj që të luftohet diskursi patriarkal i instaluara në shoqërinë kosovare, si shoqëri e burrave, e kjo nuk mund të luftohet me një tryezë apo dy tryeza të tilla, por duhet përkrahje ma të fuqishme nga njerëzit që bartin pozita publike, e njerëz të fuqishme që udhëheqin shoqërinë kosovare”, tha kryetarja e Gjykatës, Afërdita Bytyqi.

Ajo përmendi një raport të vitit 2016, ku thuhet që vetëm 16% e grave në Kosovë kanë pronë ne emër të tyre, e që thotë se është fakt shqetësues.

https://kallxo.com/birn-prezanton-raportin-per-te-drejtat-e-gruas-ne-trashegimi/

“Në 2016 ka qenë një raport i një organizate, ndoshta ka qenë BIRN-i, që thotë se 16% e femrave kanë pronë ne emër të tyre. Tash kanë kalu dy vjet, por për mua është shqetësuese fakti që 16% e femrave të kenë pronë në emër të tyre”, tha në mes tjerash kryetarja.

Sipas saj, burrat duhet ta kuptojnë që duhet të jenë të barabartë me gratë.

Bytyqi thotë se edhe pse është viti 2018, edhe njerëz që bartin pozita publike po vazhdojnë të thirren në Kanunin e Lekë Dukagjinit.

“Pse kanuni i Lekë Dukagjinit duhet të jetë më i fortë se ligjet që i kemi. Tani jemi në vitin 2018 dhe njerëzit ende po thirren në kanun, madje po thirren dhe ata që kanë tituj shkencore e që kanë pozita publike. Tash ne a duhet të ecim sipas kanunit apo sipas ligjeve që janë miratu në Kuvend të Kosovës, kjo çështje po më intereson mua”, tha tutje Bytyqi i cila edhe i ftoi burrat që janë nëpër institucione që të luftojnë për këtë çështje dhe të mos prononcohet sa për sy e faqe.

Në kuadër të projektit “Fuqizimi i grave për të kërkuar të drejtat e tyre në trashëgimi”, Zyra e BIRN në Kosovë është duke e mbajtur tryezën mbi të drejtat e pronës dhe trashëgimisë dhe analizën se si ligji përfaqëson gratë.

Në tryezë po marrin pjesë prokurorë, gjyqtarë, avokatë, noterë dhe përfaqësues te shoqërisë civile.

Analiza dhe sugjerimet nga kjo tryezë do të përfshihen në përpilimin e kërkesës për ndryshim të ligjit, nga BIRN Kosova.

Ky projekt mbështetet nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe implementuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC.