Afera ‘Pronto’, prokurorja Drita Hajdari kërkon përjashtimin e gjykatësit i cili nuk e lejoi ta lexojë aktakuzën
Vetëm katër ditë pasi për herë të parë të akuzuarit e rastit të njohur si ‘Pronto’ u paraqitën para gjykatës, prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, ka adresuar një kërkesë tek kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Aferdita Bytyqi, me të cilën kërkon që gjykatësi i këtij rasti, të përjashtohet.
Deri tek kjo kërkesë e prokurores Hajdari ka ardhur pak ditë pasi që në seancën e parë të mbajtur pranë Gjykatës Themelore të Prishtinës, nuk u lexua aktakuza në lidhje me këtë rast edhe pse këtë e kërkoi prokurorja Drita Hajdari.
Gjykatësi, Shashivar Hoti, e aprovoi propozimin e mbrojtësve që aktakuza të konsiderohet e lexuar dhe të mos lexohet nga prokurorja Hajdari, përkundër se ky ishte shqyrtimi i parë në lidhje me këtë rast, disa muaj pasi që është ngritur aktakuza.
Paragrafi 3 i nenit 246 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, në të cilin përcaktohet radha e veprimeve procedurale në shqyrtim fillestar, përcakton se aktakuza i lexohet palëve.
“Pastaj prokurori i shtetit ia lexon aktakuzën të pandehurit”, thuhet në dispozitën e nenit 246 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.
Kjo dispozitë përveç se i jep të drejtën palës së akuzuar që të njoftohet me pretendimet e Prokurorisë ndaj tij, gjithashtu mundëson edhe plotësimin e parimit të publicitetit të Procedurës Penale, duke i mundësuar publikut të mësoj se për çfarë po akuzohen të akuzuarit e çdo rasti.
Prokurorja speciale Drita Hajdari në kërkesën e saj, ka potencuar se me këtë veprim, gjykatësi i këtij rasti nuk është treguar objektiv dhe i paanshëm, duke mos pasur parasysh edhe kërkesën e prokurores për të lexuar aktakuzën, e për me tepër duke injoruar edhe dispozitat ligjore që përcaktojnë një gjë të tillë.
Të enjten e javës së kaluar, Adem Grabovci dhe të gjithë të akuzuarit e rastit ‘Pronto’ janë deklaruar se nuk ndihen fajtor për pretendimet e Prokurorisë.
Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.
Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale – shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.
Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.
Përndryshe, ky rast ishte publikuar nga mediat, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i Prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.