Ilustrim: Patentë shoferë të Kosovës - Foto: KALLXO.com

Afera e patent-shoferëve, mbi 20 të arrestuar

Në operacionin e mëhershëm në Njësitin e Patentë Shoferëve që gjendet në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, janë arrestuar 22 persona, ndërsa aksioni është duke vazhduar edhe në lokacione të tjera.

Ushtruesi i Detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë në Prishtinë, Kujtim Munishi ka thënë për KALLXO.com se aksioni i arrestimeve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit ende nuk ka përfunduar.

Ai thotë se gjatë ditës kanë dalë edhe pista të tjera, për të cilat, është duke vazhduar ky operacion.

“Nuk jemi ende në përfundim sepse ende jemi duke vepruar në terren nëpër lokacione të ndryshme. Shumë shpejt do të përfundojë i gjithë aksioni. Deri në këtë moment i kemi 22 të arrestuar por pritet ende të tjerë të dyshuar, dalin më shumë në kohën kur fillojmë me i intervistu”, ka thënë ai.

Munishi gjithashtu ka treguar se përveç zyrtarëve të dyshuar në Ministri të Infrastrukturës, ka të dyshuar edhe në auto shkolla edhe në institucione të tjera.

“Nuk mund të jap më shumë detaje sepse mund t’i dëmtojë hetimet”, ka shtuar tutje kryeprokurori Munishi.

Policia e Kosovës para disa orësh ka ndërmarrë një operacion arrestimesh në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

Arrestimet janë bërë në Njësitin e Patentë Shoferëve që gjendet në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

Policia janë parë duke dalë nga kjo ndërtesë me disa persona të prangosur.

Aksioni i arrestimeve ishte konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

“Policia e Kosovës është duke zhvilluar një operacion policor, për detaje ju njoftojmë pas përfundimit të tij”, tha për KALLXO.com, Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë.

https://kallxo.com/arrestime-ne-ministrine-e-infrastruktures/