Afër fundit gjykimi për përvetësimin e mbi 23 mijë eurove

Edhe pak ditë kanë mbetur nga koha kur pritet të shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarës për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Merita Shehu.

Shehu si arkëtare në Institucionin mikrofinanciar, FINCA, në degën në Rahovec, po akuzohet nga Prokuroria se ka marrë shumën e të hollave prej 14 mijë e 200 euro, e po ashtu ka përvetësuar ratat e 40 klientëve në shumë prej 9 mijë e 777 mijë euro

Pasi kishin dështuar dy seanca paraprake, sot avokati i të akuzuarës kërkoj dëgjimin e ekspertit financiar.

Mbrojtësi i të akuzuares Merita Shehu, avokati Ndrec Dodaj kishte bërë kërkesë që si dëshmitar të dëgjohet eksperti financiar Pashk Bardheci.

Lidhur me këtë kërkesë, prokurori Ramiz Buzhala tha se po bëhet për prolongim të procedurës.

Mirëpo trupi gjykues refuzoi kërkesën e avokatit Ndrec Dodaj, me arsyetimin se ekspertiza është kryer nga eksperti financiar Ali Shujaku dhe se e njëjta ekspertizë është mjaftë e qartë.

Më pas, gjykimi vazhdoi me fjalën përfundimtare, ku prokurori Ramiz Buzhala kërkoi nga gjykata që ndaj të akuzuarës ta shqiptojë dënimin e caktuar me ligj.

Ndërsa përfaqësuesi i institucionit financiar “Finca”, Auberon Kelmendi, kërkoi nga gjykata kompenzimin e dëmit në shumën prej 23.997.60 euro.

Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuares Merita Shehu, avokati Ndrec Dodaj në fjalën e tij përfundimtare tha se në këtë çështje qysh në hetime ka pasur parregullsi.

“E akuzura në deklarimin në Polici nuk ka pasur mbrojtës, e njëjta ka pohuar akuzat dhe ka kërkuar marrëveshje me Prokurorinë, por marrëveshja nuk është nënshkruar nga subjektet tjera në Prokurori”-deklaroi Ndrec Dodaj.

Ai tha se e akuzura në një fazë e ka pohuar veprën e në një fazë e ka mohuar atë, e kjo si pasojë e akterëve tjerë në porcedurë.

“Këtu është gjetur rruga më e lehtë, me e gjet një fajtor, sepse kjo qështje na len me besu që kanë të bëjnë edhe personat e tretë. Kjo mbrojtje ka mbështetje edhe në deponim të dëshmitarve sepse realisht ka ekzistuar mundësia që në kasafortë të ketë qasje edhe dikush tjetër në bashkëpunim ose jo me të pandehurën”, tha Dodaj.

Ai kërkoj nga gjykata që të ketë parasysh rrethanat personale të të akuzuares, duke thënë që dikush ka mundur edhe të manipulojë me të.

Ndërkaq kryetari i trupit gjykues Shaqir Zika bashkë me anëtarët Gëzim Pozhegu dhe Myfera Hoxha, caktuan datën 2 gusht për shpalljen e aktgjykimit.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Dy seanca të fundit kishin dështuar të mbaheshin, si shkak u mungesës së ish-avokatit të akuzuares, Esat Gutaj.

Ne muajin maj në këtë çështje kishin dëshmuar edhe ish-kolegët e të akuzuares.

Në lidhje me këtë rast Gjykata e Gjakovës kishte refuzuar kërkesën për hudhjen e aktakuzës ndaj Merita Shehut, e akuzuar për përvetësim në detyrë.

Gjyqtari Shaqir Zika, aktakuzën e Prokurorisë e kishte vlerësuar të bazueshme edhe përkundër faktit që mbrojtësi i të akuzuares Shehu, avokati Esat Gutaj kishte pretenduar që aktakuza nuk është e mbështetshme në prova materiale.

Në seancën e mbajtur në muajin janar, e akuzuara Merita Shehu kishte kërkuar marrëveshje me Prokurorinë.

Ndërkaq në seancën e parë Merita Shehu, nuk e kishte pranuar fajësinë.

“E akuzuara nuk e ka përmbushur detyrimin ndaj Institucionit Mikro-financiar Finca, andaj në kërkesën pasurore juridike kërkojnë kompensimin e shumës prej 23.977.60 euro”-kishte thënë Kelmendi.

Sipas aktakuzës, këto veprime janë konsumuar në muajin Janar  e deri në qershor 2018.

Merita Shehu si arkëtare në Institucionin mikrofinanciar FINCA, në Degën në Rahovec, po akuzohet nga Prokuroria se ka marr shumën e të hollave prej 14,200.00 euro, e po ashtu ka përvetësuar ratat e 40 klientëve në shumë prej 9.777,50.00 euro.