Gjykimi i doganierëve dhe të tjerëve | Foto: KALLXO.com

Afër Fundit Gjykimi për Mosdeklarim Malli në Doganë

Liridon Hashani, njëri nga dy doganierët e akuzuar për mosdeklarim të mallit që bartej me disa automjete u mbrojt në heshtje për shpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti.

Por i akuzuari tjetër i këtij procesi Avdyl Selmani mbrojtjen e shfrytëzoi për ta shfajësuar veten.

Selmani tha në gjykatë se ka raporte miqësore me të akuzuarin tjetër Izet Dibranin për të cilin tha se e kishte ftuar që t’i marrë disa rroba nga furgoni i padoganuar që i kishin ardhur nga Suedia.

“Mua atë ditë më ka thirrur Izeti paradite me dalë me i marrë rrobat e që m’i kishte dërguar axha im dhe më ka thënë se nuk mund t’i sjelli në Prishtinë pasi që e ka veturën në defekt,” tha Selmani.

Selmani tha se nuk ka kryer ndonjë vepër penale pse ka marrë këto rroba.

“Unë nuk e ndiej veten fajtor pasi që nuk kam kaluar doganën. Unë nuk kam kryer asnjë vepër penale,” tha Selmani.

Pas mbrojtjes së Selmanit u dha fjala përfundimtare, gjatë së cilës prokurorja Dulina  Hamiti i qëndroi besnike aktakuzës ndaj dy doganierëve dhe katër personave tjerë.

Të gjithë mbrojtësit dhe të akuzuarit në fjalën e tyre përfundimtare e kundërshtuan aktakuzën duke thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen.

Të akuzuar në këtë proces janë Izet Dibrani, Qaush Blakaj, Shema Xhafa, Avdyl Selmani, Xhevat Lajçi dhe Liridon Hashani. Dy të fundit janë zyrtarë doganorë në pikën kufitare Merdar.

Prokuroria, të pandehurit Izet Dibranin, Qaush Blakajn dhe Shema Xhafën i akuzon se më 1 mars 2016 rreth orës 10:00 në pikën kufitare Merdar pas marrëveshjes paraprake së bashku nuk e kanë deklaruar mallin që e kishin ngarkuar në tre furgonë që voziteshin prej tyre.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit me të arritur në pikën kufitare Merdar me anë të dhënies së ryshfetit në shumë prej 650 eurove zyrtarëve doganorë Liridon Hashanit dhe Xhevat Lajçit, i janë shmangur kontrollit doganor për mallin me vlerë 11.054.90 euro.

Gjithnjë sipas prokurorisë, të akuzuarit Izet Dibrani, Qaush Blakaj, dhe Shema Xhafa kanë kryer veprat penale, kontrabandim i mallit, dhënie e ryshfetit si dhe shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Xhevat Lajçi dhe Liridon Hashani nga prokuroria akuzohen se kanë kryer veprat penale, keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.

Avdyl Selmani akuzohet se ka dhënë ndihmë për kryerjen e veprës penale kontrabandim i mallit dhe shmangie nga pagesat e detyrueshme doganore.

Gjykata në seancat e kaluara e ka veçuar procedurën për Qaush Blakajn pasi që nuk ka mundur të sigurojë prezencën e tij.