Afër Fundit Gjykimi i Demakut për Banesën e Çerdhes
Para se të jepej kjo fjalë nga palët, mbrojtjen e dhanë zyrtarët komunalë Ajet Demiri e Gani Halili që kundërshtuan aktakuzën.
Kryetari i Drenasit Nexhat Demaku mbrojtjen e tij e kishte paraqitur në seancën e 25 majit.
Në seancën e sotme i akuzuari Demaku i paraqiti edhe dy shkresa që kërkoi të merren si prova nga trupi gjykues, mirëpo trupi gjykues pranoi si provë vetëm kërkesën me të cilën e dëmtuara Zejnepe Buzhala kishte kërkuar strehim te përkohshëm.
Pastaj prokurori në fjalën e tij përfundimtare i kërkoi gjykatës dënimin e të akuzuarve.
“Duke iu referuar provave të pranueshme, propozoj që të akuzuarit të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe te dënohen sipas ligjit dhe gjatë matjes së dënimit të merren parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese,” tha prokurori.
Edhe e dëmtuara Zejnepe Buzhala u pajtua me fjalët e prokurorit.
“I bashkëngjitëm në tërësi fjalës përfundimtare të prokurorit dhe parashtroj kërkesën pasurore – juridike,” deklaroi e dëmtuara.
Ndërsa të akuzuarit fjalën e tyre përfundimtare ia dorëzuan gjykatës me shkrim.
Sipas aktakuzës, Nexhat Demaku, në cilësinë e kryetarit të Komunës se Drenasit, akuzohet se ka tejkaluar kompetencat kur ka lidhur kontratë me Fadil Shishanin, si qiramarrës, në prill të vitit 2009 për dhënien me qira të banesës në rrugën “Skënderbeu”.
Kontrata ia mundësonte Shishanit të përfitojë të drejtën e shfrytëzimit të banesës së të dëmtuarës Zejnepe Buzhala.
Ndërsa dy të akuzuarit tjerë Demiri dhe Halilaj akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë kanë marrë pjesë në kryerjen e veprës penale.
Kjo banesë ishte e Komunës së Drenasit, por kjo komunë ia kishte dhënë çerdhes së këtij qyteti, ndërsa çerdhja ia kishte ndarë atë Zejnepe Buzhalës.
Në qershor të vitit të kaluar gjatë një seance të përmbarimit rreth kësaj banese pati të shtëna nga të cilat u plagos një person.
Shpallja e aktgjykimit në këtë proces gjyqësor do të bëhet më 28 qershor.