Aeroplani i linjës Prishtinë-Bazel ka pasur rënie rreth 500 metra

Kryesuesi i Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike dhe Hekurudhore (KHAIA), Mirsim Beqiri, në një intervistë për “RTKlive” ka folur për rastin e fundit në lidhje me turbulencën e cila ka ndodhur gjatë fluturimit të aeroplanit të kompanisë ajrore ALK Airlines, nga Prishtina për në Bazel.

Beqiri ka treguar se ky aeroplan ishte në nivelin e fluturimit FL 360 kur ka hyrë në stuhi dhe ka pasur rënie përafërsisht 500 metra.

Si pasojë e turbulencës ndihmë mjekësore kanë kërkuar tetë pasagjerë.

Ai ka theksuar se sipas vlerësimeve aeroplani Prishtinë-Basel ka qenë i sigurt.

“Fotografitë e interierit të aeroplanit që kanë qarkulluar në media nuk paraqesin rrezikim të sigurisë së fluturimit. Në fotografi shihen rregullime të pjesëve të brendshme dekorative e jo të strukturës së aeroplanit. Vlerësimi i sigurisë së këtij aeroplani të huaj është bërë disa herë nga inspektorët e Aviacionit Civil të Kosovës. Inspektime të njëjta kryhen edhe nga shtetet e tjera ku aeroplani operon, dhe nuk pasur ndonjë informacion për ndonjë defekt në strukturën e aeroplanit”, ka theksuar Beqiri për RTKlive.

Ai ka thënë se të gjithë aeroplanët që kanë linja në Aeroportin e Prishtinës janë të sigurt dhe të njëjtit veprojnë në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.

Në këtë intervistë Beqiri ka treguar se në Aeroportin e Prishtinës kanë dy probleme që zakonisht përsëriten; sulmet e zogjve dhe sulmet me laser.

“Sulmet e laserëve të cilët zakonisht ndodhin në afërsi të Aeroportit të Prishtinës janë mjaft të rrezikshme për fluturaket, andaj për çdo rast të sulmeve me laser njoftohet Policia e Kosovës. Në bazë të ligjit për Aviacion civil 03/L-051 sulmet me laser konsiderohen vepër penale dhe mund të dënohen deri në pese vite burgim”, ka deklaruar kryesuesi i Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike dhe Hekurudhore (KHAIA), Mirsim Beqiri.

Si pasojë e turbulencave të mëdha kanë pësuar lëndime 3 udhëtarë, njëri i ndodhur jashtë ulëses, një nga uji i nxehtë i kafes dhe një tjetër nga rënia e bagazhit të dorës mbi ulëse.

https://kallxo.com/turbulenca-ne-aeroplanin-prishtine-basel-tmerrohen-pasagjeret/

.