Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

‘Admovere’ pretendon se Gjykata kreu tri shkelje ligjore në rastin e ‘Plagjiaturës së stafit akademik’

Organizata “Admovere” po pretendon se Gjykata Themelore në Prishtinës ka bërë shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, duke konstatuar gabimisht gjendjen faktike dhe zbatuar gabimisht të drejtën materiale.

Sipas kësaj organizate, kjo Gjykatë gjithashtu ka shkelur të drejtën e “Admovere” për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut sepse sipas tyre nuk janë shqyrtuar provat e paraqitura, si dhe janë kufizuar padrejtësisht në lirinë e shprehjes së garantuar me nenin 40 të Kushtetutës dhe nenin 10 të KEDNJ.

“Pas publikimit të raportit tonë, më 1 tetor 2018, z. Mejdi Bektashi na paditi për shpifje, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 nëntor 2018, aprovoi masën e sigurisë të kërkuar nga paditësi me të cilën u detyruam ta tërheqim pjesën e raportit që flet për të dhe na u ndalua të bëjmë deklarata në lidhje me personalitetin e tij, deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate.

https://kallxo.com/profesori-universitar-padit-per-shpifje-admovere-pas-akuzave-per-plagjiature/

Me 16 nëntor 2018, “Admovere” kishte parashtruar ankesë ndaj aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së sigurisë dhe kërkoi nga Gjykata e Apelit që ta anulojë aktvendimin.

“Dispozitivi i Aktvendimit është kontradiktor me pjesën e arsyetimit të Aktvendimit sepse gjykata në njërën anë e cakton masën e sigurisë, e në anën tjetër e konstaton qëllimin e mirë të publikimit i cili njëherësh është edhe bazë për përjashtimin e përgjegjësisë për shpifje, dhe gjykata nuk i ka aplikuar drejt dispozitat e Ligjit për Procedurën Kontestimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë sepse ka dështuar ta vlerësojë besueshmërinë e kërkesës dhe rrezikshmërinë e realizimit të drejtës subjektive të Propozuesit në pajtim me nenin 297 LPK”, vazhdon më tej ajo.

Kjo organizatë gjithashtu pretendon se kjo Gjykatë ka bërë konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike sepse siç thuhet në komunikatën e dërguar, “është bërë shkelje e procedurave”.

Flasin profesorët e dyshuar për plagjiaturë në UP

“Gjykata ka dështuar të konstatojë se ADMOVERE nuk është autore e deklaratës por vetëm e ripublikon një informatë nga një artikull gazete që është publike për gati 12 vite, ka dështuar të konstatojë se artikulli i gazetës që është cituar në raport asnjëherë nuk është demantuar publikisht, ka dështuar të konstatojë se ADMOVERE ka ndërmarrë hapa për të verifikuar informatat e paraqitura në artikullin e gazetës dhe ka dështuar të trajtojë si provë Vendimin Nr.112 të Senatit të Universitetit të Prishtinës që është provë qenësore në këtë çështje kontestimore”, është shkruar në komunikatë.

Organizata pretendon se Gjykata Themelore në Prishtinë ka zbatuar gabimisht të drejtën materiale sepse siç thuhet në reagimin e tyre “përmes Aktvendimit gjykata e kufizon lirinë e shprehjes duke u thirrur në mbrojtjen e reputacionit të Propozuesit/Paditësit dhe konstaton pa asnjë arsyetim apo sqarim se ndaj tij ka pasur “fyerje në kushtet e vendit tonë’, madje pa i trajtuar rrethanat që e përjashtojnë përgjegjësinë për shpifje sipas Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

https://kallxo.com/orca-me-aksion-kunder-vendimit-te-gjykates-per-ndalim-te-raportit-te-admovere/

Përveç ankesës në Gjykatën e Apelit, “Admovere” thotë më tej se ka kërkuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit që ta shqyrtojë rastin për t’i adresuar shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut dhe të ndërmarrë veprime sipas autorizimeve ligjore që i takojnë.