Adem Grabovci dhe të tjerët sërish deklarohen të pafajshëm në rastin ‘Pronto’

11 të akuzuarit në rastin e njohur si ‘Pronto’ janë të deklaruar sërish të pafajshëm.

Pas vërtetimit të aktakuzës dhe leximit të së njëjtës në sallë të gjykatës, të gjithë të akuzuarit u deklaruan edhe njëherë rreth fajësisë.

Adem Grabovci dhe të gjithë të akuzuarit e tjerë u deklaruan edhe një herë të pafajshëm lidhur akuzat që u vihen në barrë.

Pas deklarimit lidhur me fajësinë shqyrtimi gjyqësor po vazhdon me dhënien e fjalës hyrëse.

Aktakuza në rastin e njohur “Pronto” , ishte ngritur në prill të vitit të kaluar.

Më 4 shkurt të këtij viti, Adem Grabovci dhe 10 të akuzuarit e këtij rasti kërkuan nga gjyqtari Hoti që aktakuza të hedhet poshtë duke e quajtur të pabazuar.

Në seancën fillestarë të mbajtur në nëntor të vitit të kaluar, gjyqtari Hoti nuk kishte lejuar leximin e aktakuzës përkundër se prokurorja e rastit kishte kërkuar të lexonte dhe gjithashtu edhe Kodi i Procedurës Penale.

Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale – shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Përndryshe, ky rast ishte publikuar nga mediat, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i Prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

Të akuzuarit e këtij rasti janë deklaruar të pafajshëm në akuzat e Prokurorisë.