Prokuroria Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com
Abuzimi seksual i të miturës, Prokuroria tregon veprat penale që rëndojnë ndaj të dyshuarit
Prokuroria e Prishtinës ka shpjeguar sonte veprimet që i ka ndërmarrë pas publikimit të rastit të dyshuar të keqpërdorimit seksual të një të miture nga Drenasi, për çka është arrestuar dhe paraburgosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Sipas Prokurorisë, V.V, dyshohet për veprat penale – keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin, dhe veprën penale – ndërprerja e palejuar e shtatzënësisë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë me të pranuar informatën, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, sipas urdhëresës së prokurorit kujdestar, i dyshuari, V.V, më 05.02.2019, është ndaluar nga Inspektorati Policor i Kosovës, i cili është dërguar në qendër të mbajtjes, në afat prej 48 orësh”, thuhet në njoftim.
Prokurori kujdestar ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit V.V., në drejtim të veprave penale “Keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin” dhe veprën penale “Ndërprerja e palejuar e shtatzënësisë”.
Gjykata Themelore në Prishtinë, në ora 14:00, ka caktuar seancë dëgjimore lidhur me kërkesën e prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin e cekur më lartë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke punuar në mbledhjen e të gjitha provave në drejtim të veprave penale të lartpërmendura dhe veprat penale të cilat mund të paraqitën në ndërkohë.
Prokuroria do ta mbajë të informuara opinionin për çdo veprim të ndërmarrë në lidhje me këtë rast.