Deputeti Lumir Abdixhiku - Foto: LDK

Abidixhiku: Qeveria ka vendosur të shitet “franquz” me ndarjen e parave për 'Notre Dame'

Paralajmërimi i Qeverisë së Kosovës, se do të ndajë para për restaurimin e katedrales ‘Notre Dame’, në Paris, ka ngjallur reagimin e disa politikanëve në Kosovës.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas këtij paralajmërimi të qeverisë, duke thënë që Franca nuk ka nevojë për parat e Kosovës.

“Franca nuk ka nevojë për paratë e Kosovës; as si substancë e as si simbolikë. Për ‘Notre Dame’ janë mbledhur mbi 1 miliardë euro tashmë”, ka shkruar në Facebook Abdixhiku.

Tutje Abidixhiku ka sugjeruar që paratë të destinohen në Kosovë, sidomos në raste kur po kërkohen të holla për të sëmurit.

“Për paratë e Kosovës nevojë kanë ato dy vajza – njëra 2 vjeçe e tjetra 18 – fotot dhe lutjet e së cilave për ndihmë na shpërndahen gjithandej. Për këto para nevojë kanë dhe ato spitale që kërkojnë doreza sterile para secilës lindje. Për këto para – dhe shumë më shumë – nevojë kanë hallgjorët e Kosovës, qeveria e së cilëve ka vendosur të shitet “franquz”, ka shkruar Abdixhiku në facebook.

Mundësinë për ndarjen e mjeteve për të restauruar katedralen, e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi.

Ajo tha se në mbledhjen e Qeverisë e cila do të mbahet nesër do të shqyrtohet si mundësi në momentin e parë, ku edhe do të kuptohet vlera e mjeteve.

Katedralja Notre Dame në Paris u përfshi nga zjarri më 15 prill, dyshohet se zjarri ishte shkaktuar aksidentalisht.