Foto-ilustrim

Abdixhiku: U Kthyen 11 Milionë Euro në Fondin e Sigurimeve

Anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa në shqyrtimin e sotëm të buxhetit të rishikuar, kanë arritur t’i kthejnë 11 milionë euro që ishin hequr nga fondi i sigurimeve shëndetësore.

Komisioni për Buxhet dhe Financa ku është bërë shqyrtimi i projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e buxhetit është mbajtur me dyer të mbyllura me kërkesë të kryetarit të këtij komisioni, deputetit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ai përmes një statusi në Facebook ka lajmëruar se përmes amendamenteve kanë arritur ti kthejnë 11 milionë euro që ishin hequr nga fondi i sigurimeve.

“Kur don e insiston edhe ja del. Në Komisionin të cilin e udhëheq, sapo i rikthyem 11 milionët e hequra nga Fondi i Sigurimeve në buxhetin e shëndetësisë për këtë vit. Këto para të rikthyera do të shërbejnë për barna falas ndaj pacientëve dhe shërim jashtë vendit – e rëndësishme për shumë jetë. Falënderoj anëtarët e Komisionit e Ministrinë e Financave për mirëkuptim dhe pranim. Pra qenka e mundshme!”, ka shkruar deputeti Abdixhiku në profilin e tij në Facebook.

Një prej arsyeve se pse LDK nuk kishte votuar pro rishikimit të buxhetit kishte qenë edhe arsyeja e heqjes së mjeteve të ndara për sigurimet shëndetësore dhe heqja e mjeteve për autostradën Prishtinë-Gjilan.

http://kallxo.com/osmani-ldk-nuk-ta-votoje-rishikimin-e-buxhetit/

Projektligji për rishikimin e buxhetit u miratua ditën e djeshme me 61 vota pro.

http://kallxo.com/kuvendi-miraton-ne-parim-projektligjin-per-buxhetin-2017/

Kjo seancë ishte shtyrë një ditë përpara, pasi që edhe pas 10 orëve diskutime nuk kishin arritur ta votojnë këtë projektligj.

http://kallxo.com/seanca-per-votimin-e-rishikimit-te-buxhetit-vazhdon-neser/