Deputeti Lumir Abdixhiku - Foto: LDK

Abdixhiku: Thaçi po mundohet t’ia mveshë Ibrahim Rugovës projektin e tij për ndarjen e Kosovës

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se presidenti i Kosovës po tenton ta ngarkojë dikë tjetër me projektin e tij për ndarjen e Kosovës.

Përmes një publikimi në Facebook ai ka thënë se presidenti Hashim Thaçi ka kuptuar se projekti i tij dhe Aleksandar Vuçiqit në Serbi për ndarjen e Kosovës po humbet.

“Refuzimi i madh politik e publik në vend e bën ndarjen të pajetë. Të përjetshëm e mbanë, gjithsesi, kujtesën kolektive për ata që donin të falnin territor. Meqë projekti po humbet, ai tash provon të njëjtin dikujt t’ia mveshë. Dhe paska gjetur si shënjestër Presidentin Rugova; njeriun që udhëhoqi e realizoi projektin më të madh shqiptar – pavarësinë e Kosovës, shtet të pavarur e sovran. Njeriun që çdo të premte rresht, s’rreshti së foluri për këtë territor, për këtë sovranitet, për këtë shtet”, ka shkruar Abdixhiku.

Tutje në publikim ai ka shkruar se këto “gjarpërime politike” janë qesharake pasi jemi në kohën e letrave.

“Meqë jemi në kohë të letrave e jo të cungut, gjarpërimet politike duken komike. Për të e secilin me interes, në vitin 1994 kur u pyet nga Marie Françoise Allain dhe Xavier Galmiche për idenë e ndarjes së vendit të vet, Ibrahim Rugova kishte thënë: “Projekti i ndarjes së Kosovës, të cilin serbët e nxjerrin në tryezë herë pas here, ka vetëm një qëllim: ta cenojë integritetin territorial të Kosovës e më pas ta thejë identitetin e saj. Ky projekt për herë të parë është nxjerrë zyrtarisht nga Dobrica Qosiq dhe prezantuar zyrtarisht (në emër të Serbisë) në Gjenevë nga këshilltari i tij Stojanoviq”. E vërteta është se po të kishim sot më shumë politikanë e presidentë që ndjekin rrugën e Rugovës, idetë serbe të ndarjes do të ishin në harresë. Ato asnjëherë s’do të zinin vend në tavolinat zyrtare të Republikës, e t’i shkaktonin kaq shumë dëm Kosovës. Idetë e Rugovës mbesin të qarta dhe mbi të gjitha jetëgjata. Ato ende inspirojnë gjenerata të tëra që këtë shtet e duan njëmend. Ato më së paku kanë ndërlidhje me Hashimin”, ka shkruar ai.

Për këtë ka reaguar edhe deputetja Vjosa Osmani duke thënë se këto qëndrime të presidentit Hashim Thaçi nuk mund të gjejnë mbështetje.

“Avokuesit e copëtimit të Kosovës, kur kontestojnë shtetësinë tonë me veprimet e tyre, nuk mund të gjejnë mbështetje as tek idetë e as tek veprimet e arkitektit të shtetit sovran të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Osmani.

Osmani ka publikuar edhe një letër betim të ish presidentit Ibrahim Rugova ku ka treguar se si është betuar ai për mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës.