Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abdixhiku-Kurtit: Nuk të gjykojmë se po merrni pjesë në dialog, të gjykojmë se keni ndryshuar kauzat

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka komentuar fjalimin e Albin Kurtit në Kuvend, duke i kërkuar atij të mos flasë si opozitar, por si kryeministër.

“Kryeministri do të duhej sot para qytetarëve dhe të zgjedhurve të tyre të raportoj. Çka ka ndodh deri tash e dimë po ky çfarë do të bëjë. Nuk je më opozitar zoti Kurti të kundërshtosh. Më 15 qershor 2021 Kurti do të udhëtoj në Bruksel për ta taku Vuçiq.  Ndërsa Kurti opozitar kishte përgatit protestat më të dhunshme për të nis dialogun pa kushte”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku ia përmendi Kurtit disa nga kauzat që ky i fundit i ka ndjekur sa ka qenë opozitar.

“10 vite protesta kundër dialogut pa kushte nuk mund të kalojnë pa trajtim. Çka ndodhi me dëmet e luftës, fondin pensional, të zhdukurit, çka ndodhi me secilin parakusht para nisjes së dialogut.  E kemi kuptu me kohë se kauza si këto ishin të pa vërteta.  Ju të martën udhëtoni në dialog pa asnjë kushtëzim”, shtoi ai.

Abdixhiku tha që kryeministri Kurti duhet të marrë pjesë në dialog, por që paraprakisht duhet të raportoj në Kuvend për këtë proces.

“Unë nuk ju gjykoj pse merrni pjesë në dialog. Do të gjykojnë nëse ju shmangesh procesit të dialogut dhe obligimet kushtetuese. Po gjykojmë që ke ndryshu kauzat me të cilat kë arrit deri këtu. Para se të flisni me Serbinë duhet të flisni me Kuvend. Duhet të paraqitni një dokument. Qeveria duhet të ketë parime. Tema e korrigjimit të kufijve as nuk duhet të hapen”, theksoi ai.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke vazhduar diskutimin për procesin e dialogut Kosovë Serbi në Bruksel.

Në dhjetor të 2015, BIRN dhe Internews Kosova kishin publikuar raportin e “Big Deal”, në të cilin ishte analizuar dhe monitoruar implementimi i marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë të dala nga procesi i dialogut në Bruksel.

Këtu mund ta gjeni raportin e vitit 2015 për implementimin e marrëveshjeve.