Deputeti Lumir Abdixhiku - Foto: LDK

Abdixhiku: Këto janë hajnitë publike që po na dëmtojnë imazhin

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka përmendur disa raste që ai i quan hajni në Kosovë dhe që sipas tij tejkalojnë atë të një zyrtareje që vodhi në Bruksel.

Abdixhiku tha se meqë po përmendenet si temë zyrtarja e Ministrisë së Arsimit që u zu duke vjedhur në një dyqan në Bruksel, duhen përmendur hajnitë e tjera më të mëdha.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Abdixhikut.

“Meqë qenka temë hajnia, ajo e një zyrtareje në Bruksel, t’ua kujtoj për pak këtë tjetrën, të Kosovës, që po na ndodhë vetëm sivjet:

– 53 MILIONË tuajat po i jepen Bechtel Enkas, pa asnjë vlerësim, pa asnjë verifikim. Si tall pazari; fiks. Po e shesin madje si kursim.

– 11 MILIONË tuajat po i jepen serbëve në Veri, për tua pagaur rrymën veç për një vit. Tash e njëzet vjet s’paguhet rryma atje.

– 36 MILIONË tuajat po i jepen PTK-së, për t’ia mbuluar dëmet e kontratave kriminale, punësimeve militante, e llukseve menaxheriale. Për të gjitha këto, zero përgjegjësi.

– 10 MILIONË tuajat po i jepen Qeverisë. Duan dyfishim page për vete si shpërblim. Paga e re është dhjetëfish më e larta se mesatarja; si asnjë vend tjetër në botë.

– 3 MILIONË tuajat po i jepen zëvendësministrave, armatës më të madhe të badihavgjinjëve në Evropë. Janë bërë plot 80 sosh; pa punë, pa obligim, pa asnjë detyrim.

– 80 MILIONË tuajat po i jepen listave fiktive të veteranëve – të cilat vazhdojnë të rriten edhe këtë ditë. Gjashtëdhjetë milionët e ndara në fillim nuk po mjaftojnë; duhet shtuar edhe njëzet shtesë.

Dhe brengosemi për imazh mandej.
Çfarë imazhi japin gjithë këto?”