Mahmoud Abbas - Foto: Rtv21

Abbas: ShBA për Kryeqytet të Palestinës Ka Paraparë një Fshat

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, ka konfirmuar raportet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paraparë që kryeqytet i shtetit të ardhshëm të Palestinës të jetë një fshat në afërsi të Jerusalemit.

Megjithatë, Abbas në takimin e Këshillit Qendror të Organizatës për Çlirimin e Palestinës, deklaroi se Jerusalemi është kryeqyteti i përhershëm i Palestinës, duke theksuar se palestinezët janë në një situatë kritike dhe se siguria e tyre është e rrezikuar.

Presidenti palestinez më tutje shtoi se palestinezëve si kryeqytet i shtetit të ardhshëm të Palestinës i është ofruar fshati Abu Dis.

Ai nuk qartësoi se kush me saktësi ka ofruar fshatin Abu Dis për kryeqytet, edhe pse më herët u raportuan se në planin paqësor të Uashingtonit ky fshat parashihet si seli e shtetit palestinez.

Duke folur për këtë plan, Abbas tha se palestinezët tashmë e kanë refuzuar.

Presidenti palestinez theksoi se palestinezët mund t’i thonë jo kujtdo dhe se i kanë thënë jo edhe presidentit amerikan, Donald Trump.

Abbas qartësoi se palestinezët nuk do të pranojnë planin në fjalë.

Trump më 6 dhjetor të vitit të kaluar zgjoi reagime të ashpra në shtetet arabe dhe myslimane, pasi që vendosi ta njeh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit./21Media