Haki Abazi | Foto: Atdhe Mulla

Abazi: Thaçi palohet para Vuçiqit me përgjërim

Analisti politik dhe aktivisti i Shoqërisë Civile, Haki Abazi ka komentuar intervistimin e Presidentit Hashim Thaçi nga ana e Komisionit Hetimor për deportimin e ‘gylenistëve’.

Me anë të një postimi në rrjetin e tij në Facebook, Abazi ka thënë se Presidenti ‘Thaçi është njeri i ligë e frikacak që bëhet trim e kacavirret ne sytë e publikut me paturpësi, ndërsa palohet para Vuçiqit me përgjërim, nuk ka respekt për veten e tij e as për institucionin, ai dje ka dëshmuar që është President i PDK-së dhe askujt tjetër që është kundër kushtetutës”.

“Dje ka dhënë dëshminë për të gjithë që kanë pasur ndonjë dyshim se kush në të vërtetë është ai”, ka shkruar Abazi.

Ai madje ka listuar një numër të veprimeve të Thaçit.

“Thaçi e ka ndarë Mitrovicën në vitin 1999 dhe ka dashur ta ndajë gjithë veriun në vitin 2018 për ta blerë lirinë për vet dhe për të amnistuar gjithë Serbinë nga krimet e bëra. Blerim Shala dhe ndihmësit e tij e dinë këtë gjë shumë mirë. Marrëveshja sekret e Thaçit dhe Vuçiqit ka pas qëllimin e ndarjes në shkëmbim të amnistisë për Thaçin, dhe kriminelët serbë që kanë kryer krime në Kosovë. Përfshirë edhe ata që kanë vrarë familjen Jashari dhe kanë bërë masakrat në Reçak, Qyshk, Mejë, Krushë etj.”, ka shkruar Abazi.

Tutje sipas Abazit, “Thaçi është turpi i Lirisë dhe Pavarësisë dhe kanceri i shoqërisë sonë”.

“Me kërcënimin që i ka bërë deputetëve dje ai ka treguar që është i shastisur nga ajo çfarë e pret në të ardhmen dhe e vërteta e trishton. Vendi dhe populli ka të ardhme- Thaçit dhe PRONTO-s i kanë dalë “zorrët” në fushë. Besoj dje çdo njeri e ka kuptuar se çfarë gabimi ka qenë për të lejuar që një njeri si ai të shpallet President. Berlini është përgjigje”, ka shkruar Abazi.

Pas katër herësh mungese, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi u paraqit ditën e djeshme para Komisionit Parlamentar Hetimor për rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq.

Ndonëse ishte paraparë që komisioni të intervistonte presidentin, takimi filloi me pyetjet e presidentit dhe vazhdoi për katër orë aq sa zgjati edhe takimi.

Pavarësisht se presidenti ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit, në të shumtën e kohës ai u bënte pyetje deputetëve të këtij komisioni. Ndërsa këta të fundit i përgjigjeshin për të gjitha pyetjet dhe akuzat që ai i hedhtë në drejtim të tyre.

Edhe pse intervistimi ishte thirrur për “gylenistët”, SHIK-u, UÇK-ja, nepotizmi, nuk u lanë pa u përmendur nga ana e presidentit si dhe vetë deputetëve.

Debati eskaloi deri në atë formë sa që deputetët dhanë cilësime të ndryshme për njëri-tjetrin, dikush ‘mercenarë’, dikush ‘zvarranik’, e dikush ‘i poshtër’, ishin këto disa nga cilësimet që presidenti dhe deputetët ia adresuan njëri tjetrit.

Në këtë takim u diskutuan pothuajse të gjitha temat, përveç temës për të cilën edhe ishte thirrur presidenti.

Thaçi i ‘gjarpëron’ përgjegjësisë për deportimin e gylenistëve