Abazi: Dorëheqja e Haradinajt alarm së Thaçi po provon ta copëtojë Kosovën

Analisti Haki Abazi dorëheqjen e Ramush Haradinaj e sheh si sinjal që presidenti Hashim Thaçi po tenton të ndajë Kosovën.

Një dorëheqje e tillë, sipas tij mund të ndal Thaçi dhe të largojë PDK-në nga pushteti.

“Ky akt i Z. Haradinaj gjithsesi është për tu përshëndetur, unë mendoj që ka ardhur edhe ashtu momenti kur PDK duhet të zhduket plotësisht nga skena politike, sepse është varrmihes i mirëqenies qytetare dhe i Republikës”, ka shkruar Abazi.

Abazi ka thënë se Haradinaj është shumë pak e mundur që të gjykohet meqë ka kaluar dy herë nëpër filtrat e gjykatës ndërkombëtare dhe vendimet për pafajësi janë përfundimtare. Por, kjo dorëheqje mund të ndal copëtimin e Kosovës.

“Unë mendoj që ka ardhur edhe ashtu momenti kur PDK duhet të zhduket plotësisht nga skena politike sepse është varrmihësi i mirëqenies qytetare dhe i republikës. Fakti që Z. Haradinaj ka dhënë dorëheqje duhet lexuar edhe si fakt që Thaçi është duke provuar ta copëtojë Kosovën para konsolidimit të institucioneve të reja të BE dhe kjo është arsyeja pse nëse ai tenton që të mos shpallë zgjedhjet atëherë protestat deri në largimin e tij janë të domosdoshme. Po shpresoj që asnjë politikan tjetër nuk ka me i hy aventurave të LDK dhe AAK për me i bë argat Thaçit dhe Veselit”, ka thënë ai.

Tutje Abazi ka deklaruar se tani është koha për zgjedhje dhe për koalicionin e madh për shpëtimin e Republikës.

Ai e ka publikuar përsëri letrën e hapur që i kishte dërguar në janar të këtij viti, tani ish kryeministrit Haradinaj.

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryeministrit pas ftesës nga Gjykata Speciale si i dyshuar.

Ai këtë vendim e ka bërë të ditur në mbledhjen e Qeverisë para kabinetit qeveritar.

https://kallxo.com/kryeministri-i-kosoves-jep-doreheqje/

https://kallxo.com/mesazhi-i-plote-i-doreheqjes-se-haradinajt/

Historiku i Gjykatës Speciale:

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.