Nga konferenca e AAK-së | Foto: KALLXO.com

AAK në Pejë: Komuna Kampione e Punësimeve Partiake

Sipas zëdhënësit të AAK-së në Pejë Albert Haxhiaj këta persona janë punësuar me kontratë në vepër.

“Janë afërsisht 300 persona që janë të angazhuar në institucione komunale me kontratë mbi vepër gjatë këtij mandati,” tha Haxhijaj.

Kontratat mbi vepër nënshkruhen me persona të caktuar për kryerjen e shërbimeve të veçanta, ndërsa nuk duhet të jenë më të gjata se 120 ditë brenda një viti.

Sipas Haxhiajt në Komunën e Pejës militantët partiakë merren në punë pa pasur nevojë.

“Militantët partiakë kanë mbushur zyrat e Komunës së Pejës. Ata në kundërshtim me ligj merren në punë pa pasur fare nevojë për ta. Edhe pse nuk kanë fare përvojë pune, angazhohen në cilësinë e ekspertëve, kurse shërbyesit civilë të komunës mënjanohen nga përgjegjësitë që kanë,” tha Haxhijaj.

Akuzat e AAK-së i mohoi Durim Sheremeti, shefi i kabinetit të kryetarit të Pejës, kur foli për KALLXO.com.

“Jo, kjo nuk qëndron, sepse numri i 300 personave për institucionin e Komunës së Pejës është shumë i madh. Kjo është një shifër anormale që kanë nxjerrë ata,” tha Sheremeti.

Shefi i kabinetit të kryetarit Muhaxheri tha se momentalisht në Komunën e Pejës janë rreth 30 punëtorë me kontratë mbi vepër.

Sipas tij edhe kur punësohen militantët partiakë, për bazë merret kualifikimi profesional.

“Edhe ata militantë partiakë që punësohen janë profesionistë dhe asnjëri nuk është pa diplomë,” shpjegoi Durim Sheremeti.

Por zëdhënësi i AAK-së Haxhiaj, Komunën e Pejës e quajti kampione të punësimit partiak.

“Punësimet partiake janë bërë përditshmëri kudo në Kosovë, mirëpo Komuna e Pejës është pak më e veçantë se të gjitha institucionet tjera, ngase është kampion i këtyre punësimeve partiake që kryesisht fshihen nën ombrellën e kontratave në vepër,” tha Haxhiaj.

Edhe PDK-ja në Prishtinë të dielën akuzoi pushtetin lokal të kryeqytetit për punësime të militantëve të “Vetëvendosjes, një gjë që e mohoi kryetari Shpend Ahmeti.

http://kallxo.com/pdk-ja-komuna-e-prishtines-puneson-militante-te-vv-se/