AAK: Komuna Po i Lë Pa Punë 40 Punëtorët e ‘Ambientit’
AAK ka akuzuar Komunën e Pejës së ia ka marrë kompetencat ndërmarrjes publike “Ambienti” dhe ia ka dhënë një kompanie private.
Sipas subjektit më të madh opozitar në Pejë me këtë veprim Komuna rrezikon që t’i lërë pa punë mbi 40 punëtorë të kësaj ndërmarrjeje.
Avdullah Hoxha nga dega e AAK-së tha se asnjëherë deri më sot nuk ka ndodhur që larjen e rrugëve dhe fshirjen e parqeve mos ta bëjë ndërmarrja “Ambienti”.
“Ne nuk jemi kundër asnjë ndërmarrje private, por t’i merret puna ndërmarrjes publike e t’i jepet një ndërmarrje private, kjo nuk don koment. Me këtë veprim skandaloz dhe ta papërgjegjshëm, kryetari i Komunës goditi rëndë ndërmarrjen “Ambienti”, duke ia rrezikuar qëndrueshmërinë financiare dhe duke rrezikuar që afër 40 të punësuar në ketë ndërmarrje të mbesin pa të ardhura”, u tha në konferencën e AAK-së për media.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës, Engelbert Zefaj, njoftoi se në konkursin publik për pastrimin e hapësirave publike ka konkurruar edhe ndërmarrja publike “Ambienti”, por fitues ka dalë një kompani private.
“Unë e di që Aleanca janë mësuar me ju dhënë kujt kanë pasur qejf dhe mi favorizu ato që kanë pasë qejf vetë, por ne nuk hymë me favorizu asnjë kompani të caktuar por do fitojë ai që është më i volitshmi. Megjithëse unë e di që është në proces kjo lëndë këtu nuk ka ndonjë vendim përfundimtar”, tha Zefaj.
Ai tha së Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik është duke trajtuar çështjen dhe pritet të marrë një vendim përfundimtar pas ankesave të operatorëve konkurrues.
Sipas Zefajt qëllimi nuk ka qenë të dëmtohet askush por që qytetarët të kenë shërbime cilësore.