AAK e Pejës shënon ditën e çlirimit të qytetit

AAK e Pejës ka shënuar 19 vjetorin e çlirimit të këtij qyteti.

Kryetari i degës së kësaj partie në Pejë, Ali Berisha, i shoqëruar nga strukturat e gruas dhe të rinjve të këtij subjekti kanë vënë lule dhe kanë nderuar të rënët me një minutë heshtje pranë librit të emrave të Dëshmorëve të Pejës, tek busti i gjeneral-major Shkëlzen Haradinajt në qendër të Pejës.

“Për nderë të 19 vjetorit të çlirimit të qytetit të Pejës, bashkë me strukturat e degës së AAK-së nderuam të rënët e Atdheut. Lule të freskëta dhe nderim për ata që sollën Lirinë!”, ka shkruar Berisha në Facebook.

Ditën e çlirimit e shënon sot edhe komuna e Deçanit.