AAK e NISMA Përgatiten, VV-së Nuk i Intereson 14 Maji

Anulimi i protestës së 26 Marsit ka qenë momenti i thyerjes së opozitës së bashkuar dhe pak ditë më vonë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shpalli 14 Majin si datën e protestës së radhës.

Nisma për Kosovën ishte rreshtuar në krahë të AAK-së, por jo edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Derisa kanë mbetur edhe 5 ditë deri në protestën e radhës, zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj tha për KALLXO.com se janë bërë të gjithë përgatitjet për një ‘protestë madhështore’ që, sipas tij, do të jetë më e madhe se ajo e 17 shkurtit ani pse Lëvizja Vetëvendosje ka kohë që iu është përgjigje negativisht kësaj nisme.

Megjithatë Nitaj tha se iu është dërguar ftesë të gjithë atyre që kundërshtojnë këtë qeveri, duke i përfshirë edhe Vetëvendosjen.

Mirëpo kësaj të fundit vazhdon të mos interesojë protesta e 14 Majit.

Zëdhënësi, Frashër Krasniqi tha për Kallxo.com se Vetëvendosje tashmë i ka thënë të gjithë sa i përket partive tjera opozitare.

Sipas Nitajt, një veprim i tillë nga ana e Vetëvendosjes kalon një papjekuri.

“Ky është një gabim i rëndë i Vetëvendosjes e cila gjatë gjithë kohës deklarohet se i kundërshton marrëveshjet e dëmshme për Kosovën si dhe që ky koalicion qeveritarë duhet larguar. Ne nuk e kuptojmë këtë refuzim për bashkëpunim nga ana e tyre, megjithatë ne i ftojmë të gjithë të interesuarit që me vijnë të shtunën në Prishtinë për të protestuar”, tha Nitaj.

Për t’u bërë thirrje qytetarëve të vijnë të shtunën në shesh, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka qenë sot në Deçan ku ka biseduar me mbështetës të partisë.

Haradinaj ka sqaruar motivet dhe arsyet për protestën e 14 Majit, duke thënë se kundërshtimi qytetar është i paalternativë “për shkak të gjendjes së rëndë të krijuar në Kosovë, si pasojë e trendeve negative në qeverisje dhe marrëveshjeve antikushtetuese”.

Ndërsa Kryetarja e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovë, Valdete Bajrami tha për KALLXO.com se AAK dhe NISMA nuk e kanë problem numrin e pjesëmarrësve pasi që, sipas saj, ka një numër të konsiderueshëm të njerëzve që tashmë kanë shprehur interesimin për të qenë të shtunën para Qeverisë.

Edhe Bajrami edhe Nitaj siguruan se protesta do të jetë paqësore.

Për dallim prej protestave të kaluara, kjo e 14 Majit nuk do të ketë marsh pasi që protestuesit do të vendosen që nga fillimi para ndërtesës së Qeverisë.