Konferenca e AAK-së në Pejë | Foto: KALLXO.com

AAK e Konsideron ‘Kurban’ Demë Dashin

Pas arrestimit dje të Demë Dashit, drejtorit të Inspeksionit në Komunën e Pejës, reagoi nëpërmjet një konference për gazetarë AAK-ja, subjekti më i madh opozitar i kësaj komune.

Naim Sahiti, kryetari i AAK-së në Pejë tha se ky subjekt nuk i është gëzuar arrestimit të drejtorit.

“Arrestimi i drejtorit të inspeksionit nuk është lajm që na gëzon sepse ne dëshirojmë të shohim institucionet komunale duke punuar mirë për qytetarët e Pejës,” tha Sahiti.

Ai deklaroi se drejtori Demë Dashi është sakrifikuar nga zyrtarë tjerë komunalë, ndërsa arrestimin e tij e lidhi me ndërtimet pa leje në Komunën e Pejës.

“Vlerësimi ynë për këtë arrestim është që ky drejtor është bërë kurban nga zyrtarët tjerë të komunës në krye me kryetarin e komunës për t’i ikur kështu përgjegjësisë që e ka për këto ndërtime dhe secilin veprim apo mosveprim të komunës sipas ligjit,” tha Sahiti.

KALLXO.com shkroi dje për arrestimin e drejtorit të Inspeksionit Demë Dashi nën dyshimet për keqpërdorim detyre.

http://kallxo.com/arrestohet-drejtori-inspeksionit-ne-peje/

Kryetari i AAK-së Sahiti tha se ndërtimet pa leje në Pejë morën hov gjatë dy muajve të fundit, ndërsa tregoi se ky subjekt kishte reaguar ndaj kësaj dukurie.

“Ndërtimet pa leje që morën hov në dy muajt e fundit,nuk kishte se si të spjegoheshin ndryshe vetëm si korrupsion i hapur nga zyrtarët me të lartë të komunës dhe gjithçka në qytet flitej edhe për shuma të caktuara që kanë dhënë pronarët për t’i lejuar ndërtimin e një apo me shumë kateve,” tha Sahiti.

KALLXO.com shkroi për koferencën e AAK-së në lidhje me tejkalimin e lejeve të ndërtimeve në Pejë.

http://kallxo.com/shumekateshet-ngjiten-lart-se-lejet-ne-peje/

Por zëdhënësi i Komunës së Pejës Engelbert Zefaj tha se kryetari Gazmend Muhaxheri respekton ligjin dhe këtë e kërkon edhe nga drejtorët e kabinetit të tij.

“Kryetari gjithmonë ka kërkuar nga secili drejtor me vepru konform ligjeve në fuqi. Kryetari është i përgjegjshëm dhe kërkon vazhdimisht nga të gjithë drejtorët që të veprojnë në përputhje me ligjin. Edhe në të ardhmen do të veprohet duke respektuar ligjet në plotni,” tha Zefaj për KALLXO.com.

Drejtori i Inspeksionit Demë Dashi vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës që qeverisë Komunën e Pejës nga zgjedhjet e vitit 2013 në krye me Gazmend Muhaxherin.