AAK dhe Nisma i përgjigjen LDK-së për rezolutën kundër ‘korrigjimit të kufijve’

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, një ditë më parë ka kërkuar nga partitë në pushtet, AAK-ja dhe Nisma Socialdemokrate që ta përkrahin rezolutën e opozitës, e cila kundërshton idenë e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim të kufirit”.

Por AAK-ja dhe Nisma nuk kanë dhënë shpresë se do ta votojnë këtë rezolutë.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë për KALLXO.com, se territori i Kosovës, sipas tyre mbrohet vetëm me Kushtetutë.

“Ne mendojmë që territori i Kosovës nuk mbrohet me rezolutë, por mbrohet me Kushtetutë të Republikës së Kosovës dhe përcaktimi ynë është i qartë. Prandaj nuk ka nevojë që për poena politike të bëhen rezoluta të cilat nuk  zbatohen, por përkundrazi Kushtetua është garantuesi i mbrojtjes së kufijve të Kosovës”, është shprehur ai.

Kur është ri-pyetur nëse do të marrin pjesë ose jo në votim të asaj rezolute, Isufi është shprehur se nuk interesohen për “rezoluta koti”.

“Ne konsiderojmë që Kushtetuta është mbrojtës i territorit prandaj nuk ka nevojë për ndërhyrje të tjera politike. Nuk kemi nevojë fare të interesohemi për rezoluta koti, por jemi të interesuar për mbrojtje të territorit përmes Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”, ka përfunduar ai.

Ndërkaq, Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherfi, nuk ka treguar se si do të veprojnë në atë pikë të rendit të ditës.

“Le ta lëmë kur vjen pika e rendit të ditës, do t’i jap përgjigje z. Hoti sepse s’po du me e prish efektin e befasisë. Më lejoni t’i tregoj Avdullahut në foltore. E kam një përgjigje të këndshme për Avdullahun”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, është pikë e rendit të ditës në vazhdimin e seancës së Kuvendit, që është thirrur për nesër (e enjte), pasi nuk kishte arritur të votohej në seancat e kaluara.

Ndërkaq, shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti, ndër të tjerash, përmes Facebook-ut e ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj që të  udhëzojnë deputetët e AAK-së ta votojnë rezolutën e opozitës.

“Rezoluta e opozitës, e datës 4 shtator 2018, me një pikë të vetme ku thuhej se ‘Integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm dhe askush, e as Presidenti i vendit, nuk mund të dialogojë për territorin e Republikës së Kosovës’ nuk u votua nga AAK dhe Nisma, edhe pse publikisht u patën deklaruar se e mbështesin. Nëse z. Haradinaj e ka seriozisht, atëherë duhet t’i udhëzojë deputetet e AAK-së të votojnë këtë rezolutë. Është kaq e thjeshtë”, ka shkruar Hoti, të martën.

https://kallxo.com/kuvendi-mblidhet-neser-me-nje-grumbull-pikash-nga-seancat-e-kaluara/