AAK Cakton Protestë-LVV e Ftuar

Pas konsultave të njëpasnjëshme që nga anulimi i protestës së kaluar të opozitës e paraparë që të mbahej me 26 mars, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot ka marrë vendim për mbajtjen e një proteste gjithëpopullore më 14 maj.

“Një vendim i tillë është marrë pas diskutimeve me të gjitha forumet e AAK-së dhe një përcaktimi të palëkundur që të vazhdohet me kundërshtimin e kapjes së Shtetit,” shkruan kjo parti në faqen e saj zyrtare në Facebook.

Sipas AAK-së kjo parti do të konsultohet edhe me partitë tjera opozitare dhe me shoqërinë civile e me grupet e interesuara, në mënyrë që protesta të jetë sa më e fuqishme.

Në anën tjetër Lëvizja “Vetëvendosje” sipas Frashër Krasniqit nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht në lidhje me këtë datë të shpallur nga AAK-ja. As nuk jemi konsultuar dhe as nuk kemi biseduar mes vete për këtë.

“Kosova ka nevojë për protesta dhe ato do të ndodhin pashmangshëm. Por protestat duhet të jenë të organizuara mirë dhe të mbahen në kohën e duhur. Veprimet e pakoordinuara rrezikojnë ta dobësojnë përpjekjen opozitare dhe të rezultojnë me protesta jo mirë të organizuara dhe jo të fuqishme e masive,” ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Sa i përket  përgjigjes së VV-së, ne mendojmë që ata mund të përcaktohen për vendimet e tyre brenda strukturave të tyre partiake, por jo brenda AAK-së, ka thënë për KALLXO.com nënkryetari i AAK-së Pal Lekaj.

“Ne kemi caktuar datën si subjektet politik, si opozitë ku i ftojmë si VV-në, Nismën dhe shoqërinë civile dhe të gjithë qytetarët që janë të pakënaqur me këtë qeverisje,” deklaroi Lekaj.