AAK bëhet me Kryesi të re

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj ka njoftuar se AAK është bërë me Kryesi të re.

“Me njerëzit më të devotshëm të saj, e cila besoj se do të jetë garancë suksesi në rrugëtimin e mëtejshëm”, ka thënë Nitaj.

Nitaj është shprehur që propozimi ka qenë i kryetarit Ramush Haradinaj, kurse zgjedhja është bërë me votën e Këshillit Drejtues, i cili ka dalë nga zgjedhjet e sapopërfunduara në AAK.

Mandati i Kryesisë së re të AAK-së, sipas Statutit do të jetë 4 vjet.

“Në Kryesinë e sapozgjedhur të AAK-së, ka njerëz të ri e të vjetër, që nga ata nga të cilët është krijuar kjo parti, e deri te njerezit të cilët janë bërë pjesë e AAK-së, ndonjë muaj apo vit më parë”, ka shkruar Nitaj në Facebook.

Ai ka njoftuar se për të parën herë më shumë se një e treta e Kryesisë janë nga “pjesa e bukur e jona”.

“Jam shumë i sigurt se ndër anëtarët e ri të Kryesisë, kanë mundur të jenë edhe shumë të tjerë. Personalisht, e konsideroj veten të vlerësuar, duke qenë njëri prej nënkryetarëve të AAK-së. Të gjithë kolegëve të zgjedhur dhe anëtarësisë e simpatizantëve të AAK-së, dëshirat më të mira për punë e suksese të reja”, ka përfunduar Nitaj.