Komuna e Prizrenit - Foto: KALLXO.com

“A tu tha goja a?”, asamblisti i Prizrenit kritikon drejtoreshën komunale për mosraportim

Fjalosje, debate të ashpra dhe ankesa e kanë përcjellë mbledhjen e gjashtë të Kuvendit Komunal të Prizrenit.

Disa prej asamblistëve patën ankesa drejtuar Drejtoreshës së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik.

Në këtë mbledhje asamblistët patën mundësi t’i parashtrojnë pyetje drejtorëve komunalë.

Xhavit Ukaj, asamblisti nga radhët e LDK-së kërkoi përgjigje me gojë nga drejtoresha e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Sevil Kazaz.

Ajo i tha asamblistit që do t’iu kthejë përgjigje me shkrim, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për Ukajn.

“ A tu tha goja a , a po priton a qysh “ e pyeti ai.

E menjëherë pas kësaj Drejtoresha Kazaz mori gjërat personale dhe filloi të largohej nga salla ku mbahej mbledhja, duke e përshëndetur me dorë asamblistin .

Asamblisti vazhdoi me komente në drejtim të Kazazit.  “ E kthehu këtu kur të msohesh me fol “, i tha ai.

Gjatë ditës, Drejtoria e me të cilën udhëheq Sevil Kazaz paraqiti para asamblistëve Strategjinë për Zhvillimin e Turizmit në Komunën e Prizrenit .

Pas paraqitjes së strategjisë, Drejtoresha Kazaz  kur doli në foltore, filloi të fliste në gjuhën turke që është gjuhë zyrtare në Komunën e Prizrenit.

Asambleistët Xhavit Ukaj e Behar Begaj u larguan në shenjë revolte nga salla për shkak të mos përkthimit në gjuhën shqipe.

Në Ssallën e Kuvendit nuk u ofrua përkthimi  për shkak të problemeve teknike.

Kjo bëri që Drejtoresha të mos raportojë para asamblistëve, andaj përgjigjet për pyetjet e tyre lidhur me Strategjinë për Turizëmn  u zotua se do t’i kthejë me shkrim në ditët në vazhdim.

Kryesuesi i Asamblesë Artan Abrashi , ftoi asamblistët që t’i lexojnë materialet që iu dorëzohen, pasi që i gjithë dokumentacioni iu ishte ofruar në gjuhën shqipe.

Ai po ashtu iu dha vërejtje asamblistëve që të mos kritikojnë drejtoreshën për gjuhën me të cilën flet.

“ Na pëlqen apo ajo gjuha turke është gjuhë zyrtare e secili flet në gjuhën e vet, mos ta njollosim dhe shpërqendrojmë temën, sepse është dokument me rëndësi “, bëri thirrje Abrashi.

Kallxo.com ka raportuar se asamblistët e Prizrenit sot janë pajisur me laptopë të rinj.

https://kallxo.com/deputetet-e-prizrenit-i-testojne-laptopet-luksoze/