Ramush Haradinaj e Edi Rama - Foto: REL/AP

A po vazhdon 'idhnimi' mes Ramush Haradinajt e Edi Ramës?

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, për dy ditë qëndroi në Poznan të Polonisë ku mori pjesë në Samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Haradinaj bëri të ditur se ishte takuar me kryeministren e Britanisë së Madhe, Theresa May, të cilës i kishte kërkuar mbështetje në finalizimin e dialogut me Serbinë.

Në këtë Samit, ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mirëpo ende nuk dihet nëse dy lryeministrat janë takuar mes vete.

Zëdhënësja e Zyrës së Kryeministrit, Donjeta Gashi, ka thënë për KALLXO.com se nuk ka informacion nëse Haradinaj është takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

“Ata krejt bashkë kanë qenë, në mëngjes e kemi publiku një foto me krejt kryeministrat e rajonit që kanë qenë duke pi kafe bashkë edhe gjatë ditës kanë qenë gjithë kohës bashkë. Mirëpo takim të veçantë nuk e di, por s’besoj që kanë pasur ndonjë telashe. Për takim bilateral nuk kam informacion sepse tash ata janë nisë e janë rrugës me u kthy”, ka thënë Gashi përmes telefonit.

Raportet Haradinaj – Rama janë acaruar prej Samitit të Berlinit dy muaj më parë kur kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte deklaruar se Edi Rama, Hashim Thaçi, kancelarja Merkel e presidenti Macron i kishin kërkuar dhe bërë presion për ta pezulluar apo hequr taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Kjo deklaratë e tij e kishte nxitur Edi Ramën që të reagojë ashpër ndaj Haradinajt, duke e akuzuar edhe për gënjeshtër.

Në fotografitë e publikuara nga kryeministri Haradinaj, mund të shihet se të dy kryeministrat kanë mbajtur distancë mes vete.

Konferenca e liderëve të Ballkanit Perëndimor, është mbajtur me 4 dhe 5 korrik.

https://kallxo.com/haradinaj-kerkon-mbeshtetje-nga-theresa-may-per-finalizimin-e-dialogut-me-serbine/

https://kallxo.com/haradinaj-kosova-dhe-serbia-kane-dallime-por-mund-te-arrihet-nje-marreveshje/

https://kallxo.com/vazhdon-samiti-i-ballkanit-perendimor/