Hashim Thaçi, President i Kosovës. Foto: Kallxo.com

A po i shpërblen Thaçi PSD-në dhe Nismën me anëtarë në KQZ?

Vonesa e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga ana e presidentit, Hashim Thaçi, tash e disa muaj ka sjellë reagime dhe dyshime se ajo po bëhet për interesa të ndryshme politike.

Partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se kanë pranuar gjatë ditës së djeshme një letër nga Zyra e  Presidentit që të dërgojnë emrat e anëtarëve kandidatë për KQZ.

Sipas këtyre partive, atyre iu është kërkuar të dërgohet vetëm një anëtar, e që sipas tyre në bazë Kushtetutës u takojnë dy përfaqësues në KQZ.

Po ashtu, opozita po pretendon se kjo gjë po bëhet me qëllim që të shpërblehen partitë që janë bërë pjesë e ekipit negociator në dialogun me Serbinë.

Thaçi ia ofron një, LDK e VV kërkojnë dy anëtarë në KQZ

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se presidenti ka dërguar te ta një letër por se kjo parti nuk do të pranojë vetëm një anëtar përfaqësues në këtë organ.

“Lidhjes Demokratike të Kosovës i takojnë dy anëtarë të KQZ-së  emrat e të cilëve shumë shpejtë do t’i dërgohen presidentit për emërimin përfundimtar të tyre. Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës është tejet e vendosur që të mos lejojë cenimin e përfaqësimit të saj në një institucion me rëndësi siç është KQZ dhe do të mbrojë të drejtën e saj të përfaqësimit në këtë institucion përmes të gjitha rrugëve ligjore dhe demokratike”, ka thënë kjo parti.

Po ashtu, kjo parti konsideron se vonesa për emërimet e anëtarëve nga ana e presidentit Thaçi po bëhet në mënyrë që t’i jepet një ulëse Partisë Socialdemokrate dhe Nismës Socialdemokrate.

“Me qëllim të zvarritjes akoma më shumë të këtij procesi, dhe me dëshirën për të ruajtur përbërjen aktuale të KQZ-së, e cila është në favor të koalicionit aktual qeverisës, presidenti Thaçi, çështjen e ndarjes së vendeve në KQZ e ka referuar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, e që, siç është parë edhe nga vendimi i Gjykatës, sipas të cilit është refuzuar kërkesa e tij, një kërkesë e tillë ka qenë fare e paarsyeshme dhe e panevojshme”, thotë LDK.

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha për KALLXO.com se kanë marrë një letër elektronike për kandidatin për anëtar të KQZ-së nga Zyra e Presidentit.

“Në fakt si asnjëherë më parë ne kemi pranuar një letër në forme elektronikë në e-mail të shefit të grupit parlamentar e cila nuk është funksionale nga Zyra e Presidencës që thuhet të dorëzojmë nga një kandidat për KQZ-në. Aty kemi parë që i njëjta email u është dërguar edhe disa grupeve të tjera parlamentare në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjin dhe në shpërputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Haxhiu për KALLXO.com

Ajo shtoi se kjo gjë është e papranueshme për VV-në pasi atyre në bazë të rezultateve të zgjedhjeve u takojnë dy përfaqësues në KQZ.

Haxhiu shtoi se Thaçi me këtë po tenton t’ua shpaguajë PSD-së dhe Nismës mbështetjen që ia dhanë ata për dialog.

“Kjo për ne është e papranueshme dhe siç duket kanë nisur pazaret apo shpërblimet për PSD-në dhe Nismën të cilët në fakt thuhet se po e legjitimojnë Hashim Thaçin në këtë procesin dhe aventurën e tij të rrezikshme, në anën tjetër Hashim Thaçi i shpërbleu më nga një anëtar në KQZ”, tha ajo për KALLXO.com.

“Për ne kjo është e papranueshme. Ne jemi në komunikim edhe me LDK-në të shohim se cilat do të jenë mundësitë të adresimit të kësaj çështje por natyrisht duhet me theksu se neve na takojnë dy anëtarë, LDK-së 2 dhe koalicionit PAN 2 dhe ndarja në KQZ bëhet në përputhje me rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, shtoi Haxhiu.

AAK, NISMA e PDK e dërgojnë anëtarin për KQZ

Në lidhje me dërgimin e kandidatëve anëtar të KQZ-së, koalicioni PAN tashmë i ka dorëzuar emrat e kandidatëve te presidenti Hashim Thaçi.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi tha për KALLXO.com se e kanë dërguar kandidatin dhe se ai është Ilir Gashi.

Ndërsa, anëtar i Kryesisë dhe Këshillit Drejtues të AAK-së, Lulzim Leci ka konfirmuar për KALLXO.com se anëtari që ata e kanë dërguar është Binak Vishaj.

“AAK ka pasur anëtar në KQZ edhe në zgjedhjet e fundit kemi garu si PAN dhe na takon mandati i KQZ-së dhe për këtë nuk e kemi ndërruar kandidatin, do të mbetet ai që ka qenë edhe herën e kaluar, Binak Vishaj”, tha ai për KALLXO.com.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, tha për KALLXO.com e kanë dërguar kandidatin e tyre.

“Nismës i takon sipas Kushtetutës të ketë një vend apo një anëtar dhe Nisma e ka dërguar emrin që ka qenë në mandatin e kaluar e që është Eqrem Sherifi”, tha Sherifi.

Ndërsa, Partia Socialdemokrate ka bërë të ditur se kandidatin për anëtar të KQZ-së do ta bëjnë publik së shpejti.

“Po na ka ardhur shkresa zyrtare nga presidenti ashtu siç është e paraparë edhe me Kushtetutë dhe me aq sa e di unë, shkresë u ka dërguar edhe partive të tjera, do me thënë grupeve më të mëdha parlamentare. Emri prej PSD-së do të bëhet publik sonte ose nesër”, ka bërë të ditur për KALLXO.com, Natyra Kuçi, zëdhënëse e PSD-së.

KDI: Letra e presidentit dërguar partive, antikushtetuese

Ndërkaq, Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), e ka quajtur antikushtetuese letrën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi te grupet parlamentare.

“Ne kemi marrë informacion që Zyra e Presidentit u ka dërguar një ftesë grupeve parlamentare që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës që të dërgojnë emrat të anëtarëve të KQZ-së, përkundër faktit se vlerësoj se një kërkesë e tillë është kundërkushtetuese. Do të thotë Kushtetuta nuk i njeh grupet parlamentare të cilat janë formuar pas konstituimit  të Kuvendit të Kosovës”, tha Cakolli për KALLXO.com.

Ai tutje shtoi se nominimi i anëtarëve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhej të bëhej sipas rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit, “që do të thotë: koalicioni PAN me 2 anëtarë, koalicioni LAA 2 anëtarë dhe VV me 2 anëtarë”.

Ai po ashtu ka thënë se kjo kërkesë e Thaçit po bëhet për favorin e PSD-së dhe Nismës.

“Kjo kërkesë e presidentit po tregon se dëshiron t’ia japë një anëtar në KQZ Partisë Socialdemokrate, 1 Nismës dhe 1 AAK-së edhe përkundër faktit se në marrëveshjen e  koalicionit PAN është paraparë mënyra e ndarjes të anëtarëve. Edhe ata vet kanë qenë në dijeni që do t’i kenë vetëm 2 anëtarë”, tha Cakolli.

Ai shtoi se bllokimi i KQZ-së ka pasur efekte të mëdha në sferën politike.

“Bllokada e deritanishme ka pasur efekte të shumta si në funksionimin politik të vendit ashtu edhe në vetë funksionimin e KQZ-së sepse kanë mbetur dhjetëra asamblistë dhe deputetë që nuk po  munden ta marrin mandatin e tyre për shkak që nuk janë mandatuar nga KQZ, siç është rasti i Nezir Çoçaj që ka dhënë dorëheqje që duhet të zëvendësohet nga Rafet Rama”, tha Cakolli për KALLXO.com.

Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, tashmë e disa ditë i ka skaduar afati ligjor për emërimin e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Këtij mekanizmi i ka përfunduar mandati më 27 mars të këtij viti, por për të emëruar anëtarët e rinj, presidenti Thaçi më 7 qershor i ishte drejtuar Kushtetueses për sqarime se nga sa përfaqësues u takojnë grupeve parlamentare në KQZ.

Gjykata Kushtetuese vendimin për këtë çështje e ka marrë në muajin nëntor me ç’rast e ka cilësuar si “të papranueshme” kërkesën e presidentit Thaçi.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdim në lidhje me këtë çështje:

Presidenti veç edhe një ditë afat për të kompletuar përbërjen e KQZ-së

https://kallxo.com/gjykata-kushtetuese-nuk-ia-zgjidh-hallin-thacit-per-kqz-ne/