Foto: FOUR PAWS

A po e shkel ligjin MMPH me mbajtjen e këlyshit të ariut në një restorant në Malin Sharr?

Organizata Ndërkombëtare e Mirëqenies së Kafshëve, FOUR PAWS, ka zbuluar një këlysh ariu të murrmë që mbahet në kushte tronditëse në bodrumin e një prone në Parkun Kombëtar të Malit Sharr.

Sipas organizatës FOUR PAWS, Qeveria e Kosovës po i shkel ligjet e veta për shkak se në marrëveshjen e nënshkruar në mes të kësaj organizate dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në vitin 2012, Parku i Arinjve në Prishtinë është objekti i vetëm në Kosovë i lejuar ligjërisht për të mbajtur dhe për t’u kujdesur për arinjtë e murrmë. Mbajtja private e arinjve, sidomos si atraksion restoranti, është e ndaluar.

Por, ndryshe thonë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina ka thënë se këlyshi i ariut po mbahet në Parkun Kombëtar nga Drejtoria e këtij parku dhe sipas Ligjit të Natyrës.

“Mbajtja e këlyshit të ariut në një restorant në Parkun Kombëtar Mali Sharr nuk është e kundërligjshme. Ky këlysh ariu është gjetur dy muajsh dhe nuk kemi guxuar ta lëshojmë në natyrë nga frika se e vret dikush. Këlyshi është nën kontroll të drejtorisë së Parkut Kombëtar, ai e ka dokumentacionin dhe është duke u mbajtur aty sipas Ligjit të Natyrës, më vonë do të vendosim nëse do ta lëshojmë në pyll ose do t’ia japim në përkujdesje Parkut të Arinjve përmes një komisioni. Ne për këlyshin e ariut jemi duke u kujdesur, kemi blerë ushqim për të”, ka deklaruar Morina.

Menaxheri i Parkut të Arinjve në Prishtinë, Afrim Mahmuti ka thënë se vendi në të cilin po mbahet ariu është tronditës pasi shumë pak mund ta shoh dritën e diellit.

“Ariu u gjet në kushte tronditëse, duke u mbajtur në një kuti të vogël druri në bodrumin e pistë dhe të errët. Këlyshi ka pak mundësi për të lëvizur dhe rrallë sheh dritën e diellit. Kjo formë mbajtjeje është mizori e tmerrshme e kafshëve. Ne i kemi informuar menjëherë autoritetet përgjegjëse, por ata ende refuzojnë të ndërhyjnë”, thotë Afrim Mahmuti, i cili menaxhon Parkun e Arinjve në Prishtinë.

Neni 104 i Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës në pikën 1 të tij thotë se ndalohet mbajtja e shtazëve të egra në kushte jo të volitshme dhe pa përkujdesje të duhur.

https://kallxo.com/organizata-four-paws-i-ben-thirrje-institucioneve-te-dorezojne-ariun-e-murrme-ne-parkun-e-arinjve/

www.kallxo.com