Foto-ilustrim

A ka gjendje emergjente për ujë në Prizren?

Komuna e Prizrenit ka sasi të mjaftueshme të ujit, në krahasim më Gjilanin e cila para disa ditësh shpalli gjendje emergjente për shfrytëzimin e ujit të pijshëm.

Kështu thotë zëdhënësja e K.R.U “Hidroregjioni Jugor” në Prizren, në një bisedë për KALLXO.com

Zëdhënësja, Nderona Kurtaj u shpreh së kjo kompani nuk është në kohën emergjente, dhe së ka sasi të mjaftueshme të ujit të pijes.

“KRU “Hidroregjioni Jugor” sh.a posedon strategjinë  për furnizimin me ujë dhe planin për menaxhimin e rrezikut  nga thatësira në situata emergjente, dokument ky i miratuar nga Bordi i Drejtorëve  dhe Autoriteti Rregullator  për Shërbimet e Ujit”, ka thënë ajo.

“Kompania momentalisht ka sasi të mjaftueshme të ujit të pijes për konsum njerëzor dhe rezervat  ujore janë të paraqitura në Modulin e Raportimit  tek ARRU dhe rezervat ujore mund të variojnë në funksion të reshjeve”, shtoi ajo.

Më 14 qershor, KALLXO.com raportoi së kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka njoftuar se nga kjo ditë ka shpallur gjendje emergjente, për shfrytëzimin e ujit të pijshëm, e që sipas tij, nënkupton një Task Forcë mes Komunës, Hidromoravës dhe Policisë Kosovës.

Ai ka thënë se tashmë ka rënie drastike të ujit në pendën e Përlepnicës, si pasojë e mungesës së reshjeve dhe temperaturave të larta.

“Ekipet e përbashkëta do të ndërmarrin veprime konkrete dhe nuk do të ketë asnjë tolerance për ata që nuk e respektojnë këtë vendim. Gjobat mandatore janë jashtëzakonisht të rënda deri në 300 euro. Jemi në koordinim edhe me Qeverinë e Kosovës, përkatësisht Departamentin e Ujërave, për ta përballuar sezonin e thatësisë. Apeloj që kjo gjendje emergjente të respektohet.”, ka shkruar Haziri në Facebook.

https://kallxo.com/gjilani-shpall-gjendje-emergjente-per-mungesen-e-ujit-te-pijshem/

.