A do të vazhdojë ta mbajë pozitën e kryetarit të PDK-së në Skenderaj Sami Lushtaku?

Sot, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli mori vendim që të gjithë zyrtarët e partisë që kanë aktakuza të lirohen nga detyra zyrtare dhe funksionet brenda partisë.

Kryetari i PDK-së në Skenderaj dhe anëtari i Këshillit Drejtues të kësaj partie, Sami Lushtaku, është njëri nga të akuzuarit.

EULEX-i ngriti aktakuzë ndaj 24 personave për arratisjen e Sami Lushtakut nga QKUK-ja në vitin 2016.

Aktakuza e tetorit të vitit 2016 e akuzon Sami Lushtakun dhe 23 persona të tjerë për vepra të ndryshme penale, ndërsa në mesin e të akuzuarve ka oficerë të shërbimit korrektues, mjekë e familjarë të të akuzuarve të rastit Drenica.

Lushtaku nga aktakuza e prokurorit Romulo Mateus ngarkohet për arratisje të personit të privuar nga liria.

Bashkë me Lushtakun në këtë pikë të aktakuzës akuzohen edhe Ismet Haxha dhe Sahit Jashari, ndërsa kjo vepër është e dënueshme me burgim deri në 3 vjet.

Lushtaku ishte dënuar edhe në një rast tjetër për gjuajtje me armë në odën e zv.kryeministrit Fatmmir Limaj në Banjë të Malishevës.

Ish- kryetari  Skenderajt Sami Lushtaku ishte dënuar me gjobë 1,700.00 euro.

Ai kishte aktakuzë edhe për rastin të njohur si KEK 2, e cila e ngarkonte Lushtakun për veprën penale të shtytjes në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Bashkë me Lushtakun akuzoheshin edhe Arben Gjukaj, Driton Pruthi, Milazim Lushtaku, Esat Tahiri dhe Azem Duraku.

Ky rast lidhet me tenderin për sigurim fizik të objekteve të KEK-ut.

Ky proces gjyqësor fillimisht është gjykuar nga gjyqtarët e EULEX-it, ndërsa tani është transferuar te gjyqtarët vendorë.

Më 20 maj, Gjykata e Prishtinës i ka shpallur të pafajshëm të gjithë të akuzuarit.

https://kallxo.com/sami-lushtaku-i-pafajshem-per-korrupsion/

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast gjyqësor. Të gjitha raportimit mund t’i gjeni këtu.