Sokol Bashota, Debat Pernime. Foto: Atdhe Mulla

A do të shkarkohet Sokol Bashota nga dega e PDK-së në Klinë?

Në zgjedhjet e brendshme të PDK-së në Klinë, Sokol Bashota është zgjedhur kryetari i degës së partisë në në këtë komunë.

Por Sokol Bashota dhe Enver Berisha janë shpallur fajtorë për deklarim të rremë të pasurisë nga Gjykata e Pejës, në maj të këtij viti.

Bashota e Berisha janë dënuar me nga 6 muaj burgim me kusht dhe dënim me gjobë në vlerë prej 1000 euro për akuzat e Prokurorisë për deklarim të rremë të pasurisë, megjithatë ky dënim nuk është bërë ende i plotfuqishëm.

Shefi i partisë së Bashotës, Kadri Veseli sot ka bërë të ditur se ka marrë vendim që që të largojë nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë.

Në një konferencë për media, Veseli  shtoi se sot i ka liruar nga detyra të gjithë të emëruarit e PDK-së që kanë aktakuza dhe që mbajnë pozita në institucionet publike.

Bashota, i rizgjedhur kryetar i PDK-së në Klinë, akuzohej për tri vepra penale të deklarimit të rremë të pasurisë.

Sipas aktakuzës, Sokol Bashota akuzohet se nuk i ka deklaruar fare veturën BMW X5, në vlerë prej 65 mijë euro dhe as banesën prej 79 metrash katrorë, në Prishtinë, edhe pse e ka pasur për detyrë ta bënte një gjë të tillë.

Bashota po ashtu akuzohet se nuk i ka deklaruar as veturën Jeep dhe as të ardhurat vjetore 3.000 euro në muaj nga qiraja e banesës.

https://kallxo.com/vendimi-i-gjykates-sokol-bashota-denohet-me-burgim/