Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

A do të shkarkohen dy ministrat e dënuar të Qeverisë Haradinaj?

Sot Gjykata Themelore e Gjakovës- Dega në Malishevë sot dënoi me gjobë Dardan Gashin, ministër për Diasporë dhe Investime Strategjike dhe Endrit Shala, ministër i Tregtisë dhe Industrisë.

Ministri për Diasporë dhe Investime Strategjike, Dardan Gashi u dënua me 1700 euro gjobë, ndërsa ministri tjetër i Qeverisë, Endrit Shala nga dikasteri i Tregtisë dhe Industrisë me 2400 euro gjobë.

Muaj më parë, Kryeministri Ramush Haradinaj kishte deklaruar se kushdo prej ministrave të tij që do të akuzohet për përgjegjësit në këtë mandat, do të veprohet ndaj tij.

“Zotëri Nerjovaj është i akuzuar në raste tjera, pra s`ka të bëjë me përgjegjësinë e tashme”, kishte deklaruar Haradinaj kur ishte pyetur për aktakuzën e ngritur ndaj zëvendës ministrit të Administratës Publike, Bujar Nerjovaj, i cili ka hyrë në negociata me Prokurorinë për pranim të fajësisë për akuzat me të cilat ngarkohet.

Ai gjithashtu në tetor të këtij viti kishte shkarkuar zëvendësministrit e Zhvillimit Rajonal, Musa Cena, i cili në atë kohë ishte vetëm i akuzuar.

“Sot kam liruar nga detyra zëvendësministrin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Musa Cena. Vendimi është marr mbi bazën e dyshimit se vepra është kryer gjatë mandatit aktiv të tij”, kishte shkruar Haradinaj më 22 tetor të atij viti.

Rreth 1 muaj më vonë, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka gjetur fajtor dhe dënuar me 6 muaj burg ish-zëvendësministrin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Musa Cena.

Ndërsa këshilltari për media i Haradinjat, Halil Matoshi në një prononcim të shkurtë për media se ende nuk kanë diçka zyrtarë për dënimet e ministrave të Haradinajt.

Ai shtoi se posa të marrin informacione zyrtare do të japin deklarim për media.

Nga 21 ministra sa numëron Qeveria aktuale Hardinaj, 6 nga ta janë me aktakuza e 2 prej tyre edhe janë të dënuar.

Besim Beqaj, Pal Lekaj, Valdrin Lluka e Rrustem Berisha vazhdojnë të jenë ministra me aktakuza në ekzekutivin aktual.

Prokuroria e Gjakovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Dardan Gashit dhe Endrit Shalës, për posedim të paautorizuar të armëve, pasi që të njëjtit ishin parë në një video duke festuar me armë në odën e Fatmir Limajt në Banjë të Malishevës.