A do ta shkarkojë Veseli këshilltarin e tij

Sot, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli mori vendim që të gjithë zyrtarët e partisë që kanë aktakuza të lirohen nga detyra zyrtare dhe funksionet brenda partisë.

Njëri nga personat e afërt të Kadri Veseli është edhe Nijazi Kryeziu, këshilltar i tij në Kuvend të Kosovës.

Ai është i akuzuar në rastin e përgjimeve tashmë i njohur si “Pronto”.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale ‘shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës’ në bashkëkryerje, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

KALLXO.com pati raportuar se në prill të këtij viti, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë në rastin e quajtur “Pronto”.

Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare.

Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti, Arbenita Pajaziti, Ilhami Gashi, Nijazi Kryeziu, Fatmir Shurdhaj, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj, Rexhë Abazi, janë të akuzuarit e Prokurorisë Speciale në rastin ‘Pronto’.

https://kallxo.com/vendimi-i-apelit-adem-grabovci-dhe-te-tjeret-do-te-gjykohen-per-rastin-pronto/