Flamuri i Kosovës dhe ai i BE-së - Foto: REL/AFP

A do ta komplikojë procesin e liberalizimit të vizave presidenca rumune e BE-së?

Më 1 janar pritet që Rumania të marrë presidencën e radhës të Bashkimit Europian.

Kjo rrethanë nuk po shihet të jetë në favor të Kosovës, e cila po shpreson që më 2019 do të ketë vendimmarrje për procesin e liberalizimit të vizave.

Kështu kanë thënë për KALLXO.com njohës të çështjeve të integrimeve europiane.

Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK, tha që marrja e presidencës nga Rumania e vështirëson edhe më shumë tendencën e Kosovës që në vitin 2019 të ketë liberalizim të vizave.

“Rreth afateve janë tri elemente që e bëjnë të paqartë edhe më tej situatën: presidenca rumune prej janarit, pastaj çështja e BREX-it dhe pastaj zgjedhjet në maj. Prandaj ajo që do të ishte më e mira, do të ishte rezervimi i deklaratave rreth afatit se kur do të ndodhë. Ne duhet të koncentrohemi në ndërtimin e një sistemi profesional të drejtësisë”, tha ai.

Sipas tij, çështja e liberalizimit të vizave komplikohet edhe më shumë për faktin se ka vende të cilat e kanë njohur pavarësinë por janë skeptike për t’ia hequr vizat kosovarëve.

“Rumania është vend që nuk e njeh Kosovën edhe ajo udhëheq të gjitha formatet e këshillit, mirëpo për viza për të qenë i saktë proceduralisht vendet mosnjohëse nuk e kanë fuqinë ta bllokojnë vendimmarrjen. Mirëpo kemi hezitime prej Gjermanisë, Francës, Holandës pra prej vendeve të mëdha që e kanë njohur pavarësinë por nuk janë të bindur rreth kriterit të dytë që është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha ai.

Në anën tjetër Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Europiane, tha për KALLXO.com se fakti që Rumania ka presidencën nuk mund ta dëmtojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovarët.

”Fakti që Rumania e udhëheq presidencën e BE-së nuk është që qonë shumë peshë në kuptimin e asaj për ta bllokuar një proces të rëndësishëm sikur se që është ajo e liberalizmit të vizave. Rumania udhëheq me preisdencën por kuptohet që BE-ja përbëhet nga shtete anëtare dhe ato janë që vendosin në këshillin e BE-së. Ajo çka mund të ndikohet natyrisht që e ka një lloj përfaqësimi sepse është ajo që vendos me agjendën e Bashkimit Europian”, tha ai.

Tutje Ujkani shtoi se është shumë problematik fakti që i gjithë fokusi është vendosur në arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë duke shtuar që pjesa e parë e 2019-tës nuk pritet të ketë diçka pozitive.

“Vendosja e fokusit te marrëveshja përfundimtare e cila ndoshta do t’i hapte rrugën e procesit të vizave dhe shumë çështjeve të tjera që lidhen me agjendën europiane të Kosovës. Të mos harrojmë zgjedhjet në BE dhe problemin e BREX-it  dhe shumë rrethana të brendshme duke filluar nga ajo që vet Rumania nuk është e gatshme për ta udhëhequr. Pra duke i marrë parasysh të gjitha këto do të ishte mirë që të mos shpresojmë për gjysmën e parë të nëntorit”, theksoi Ujkani.

https://kallxo.com/rumania-nuk-eshte-e-gatshme-per-presidencen-e-be-se/

www.kallxo.com