9 vite burg për tragjedinë e Suharekës

9 vite burg i janë shqiptuar të miturit L.L për vrasjen e vitit të kaluar në Suharekë.

Gjykata e Prizrenit e ka dënuar të miturit, të cilit në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

L.L akuzohet se me datë 10.04.2018 e vrau tashmë të ndjerin B.M. Aktakuza përshkruan se viktima kishte  qenë duke qëndruar me të miturin me iniciale A.B. dhe me madhorin me iniciale K.B. para një autobusi, tek Stacioni i Autobusëve në Suharekë duke pritur autobusin për në fshatin e tyre.

Në këtë moment atyre iu afrohet i mituri tashmë  i dënuar L.L, i shoqëruar edhe nga vëllai i tij  me iniciale L.L. dhe shoku i tij  me iniciale G.RR., dhe sapo këta të fundit afrohen, atyre iu afrohen dhe tani i ndjeri me iniciale B.M. dhe i mituri  me iniciale L.Z., me ç’rast në mes tyre fillon komunikim verbal, që zgjat vetëm disa sekonda dhe pas kësaj fillon përleshja fizike.

Pas kësaj, L.L e i nxjerr thikën nga xhepi, në gjatësi tehu rreth 10 cm, e godet tani të ndjerin B.M. i cili në Spitalin Rajonal të Prizrenit  arrin pa shenja jete.

Pas kësaj, sipas aktakuzës,  L.L. pasi godet tani të ndjerin, vazhdon me thikë në dorë sulmin fizik me të miturin me iniciale A.B., të cilin e godet në regjionin e pasme të krahut të dorës së majtë dhe në anën e majtë  të shpinës dhe pasi largohet nga ky, me thikë në dorë vazhdon në drejtim  të të dëmtuarit  me iniciale V.M. të cilin po ashtu  e godet  në anën e majtë të murit të barkut.

Përveç tij, Gjykata ka shpallur fajtor edhe katër persona të mitur për veprën pjesëmarrje në rrahje.

Lidhur me këtë vendim të gjykatës, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Vrasja e Nxënësit në Suharekë Flet Drejtori i DKA

www.kallxo.com