Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

81-vjeçari ftohet të paraqitet në seancë në ditën kur nuk punon Gjykata

81-vjeçari Sefedin Vitija thotë se kurrë s’ka besuar se në Kosovën e lirë dhe të pavarur do të përsëriteshin gjërat për të cilat ai ishte detyruar të largohej nga vendi kur ishte 22-vjeçar.

Ai tregon se në vitet 1960 ishte endur nëpër zyret e shtetit të atëhershëm për një çështje dhe se kjo kishte qenë arsyeja që ishte larguar nga Kosova.

“Jam i befasuar, historia po përsëritet, qysh në kohen e ish Jugosllavisë në vitin 1960 me ka ndodhur të endem nëpër zyrat e shtetit, atëherë isha 22 vjeçar dhe ajo ishte arsyeja e daljes sime nga Kosova”, tha Vitija.

Ai shtoi se e njëjta gjë po i ndodh edhe në ditët e sotme pasi po endet nga Gjykatat.

“Edhe sot e njëjtë gjë po më ndodh në moshën 81 vjeçare. Më e keqja është se tani shteti ynë është i lirë dhe mendoj se ka shumë korrupsion dhe joprofesionalizëm jo vetëm në gjykatë por në të gjitha institucionet e shtetit“, thotë Vitija.

Burri i moshuar tregon se është palë paditëse në një rast gjyqësor.

Seanca ishte caktuar të mbahej nga gjykatësi Hasim Sogojeva dhe ftesa me të cilat ishte kërkuar prezenca e palëve në Gjykatën e Prishtinës u kishte shkuar me kohë palëve.

Data e caktuar ishte 23 dhjetor 2018.

Problemi këtu është se më 23 dhjetor ishte ditë e diel, pra ditë kur nuk punojnë institucionet dhe gjykatat e Kosovës.

E kontaktuar nga KALLXO.com, zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi, tha se ky ka qenë një gabim teknik.

“Ju njoftojmë se lidhur me rastin në fjalë ka pasur mundësi që të ketë rrjedhur ndonjë gabim teknik për shkak të vëllimit të madh të punës dhe po ashtu punës nën presion”, tha Gashi.

KALLXO.com ka raportuar edhe në të kaluarën për skandale të ngjashme nga gjykatat e Kosovës.

Gjykata e Mitrovicës i kishte dërguar ftesë të paraqitej në seancë një personi që kishte vdekur vite më parë.

Kurse, Gjykata e Ferizajt e kishte ftuar një qytetarë në séanceë në një datë që nuk ekziston në kalendar – 30 shkurt.

Edhe Gjykata e Ferizajt kishte ftuar një qytetar të paraqitej të dielën në seancë.