Gjykata në Ferizaj

8 Vjet Burg dhe 3000 Mijë Euro Gjobë për Grabitje

Gjykata Themelore në Ferizaj e dënoi me tetë vjet burg dhe 3 mijë euro gjobë personin me inicialet Xh. S.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Xh. S. bashkë me vëllanë e tij dhe një person tjetër të panjohur, në vitin 2015 me përdorim të forcës dhe nën kërcënim të armëve kishin hyrë në shtëpinë e personit me inicialet A. S.

Në aktakuzë tregohet se hyrja në këtë shtëpi ishte bërë për të përvetësuar në mënyrë të paligjshme pasurinë e luajtshme të të dëmtuarit.

Aktakuza tregonte veprimet e grupit që kreu grabitjen.

“Të maskuar janë futur në shtëpinë e të pandehurit dhe kanë kapur të dëmtuarin G.S i cili ishte i vetëm në shtëpi, duke e tërhequr zvarrë dhe duke i kërkuar paratë e babait të tij i cili posedon një ndërmarrje për këmbimin e valutave”, thuhet në aktakuzë.

Më pas sipas aktakuzës, tre personat që hynë për të grabitur ia drejtuan revolen të dëmtuarit, ndërsa morën nga kjo shtëpi para dhe stoli ari.

“Duke ia drejtuar revolen, kanë filluar të demolojnë orenditë e dhomave, ku kanë gjetur dymijë e treqind euro dhe stoli ari në vlerë rreth njëmijë e katërqind euro”, thuhet në aktakuzë.

Lidhur me akuzën për armëmbajtje pa leje, gjykata vlerësoi se nuk ka prova të mjaftueshme ndaj të akuzuarit me inicialet Xh. S.

Në janar të vitit të kaluar për grabitje me burg dhe gjobë u dënua edhe një person tjetër.

http://kallxo.com/burg-e-gjobe-per-grabitjen-ne-llapushnik/