Ekonomia e gjelbër | Foto: KALLXO.com

8, 5 Milionë Euro për Ekonominë e Gjelbër të Kosovës

BERZH-i do ta financojë një program për ekonomi të gjelbër, i cili do të mundësojë kursimin e energjisë.

Programin për ekonominë e gjelbër e prezantoi Anca Ioana, kryesuese e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Sipas saj, Banka TEB, Kreditimi Rural i Kosovës dhe Agjencioni për Financim në Kosovë e kanë nënshkruar linjën kreditore që lidhet me këtë program.

Detaje për programin dha edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Natalya Apostolova.

“8.5 milionë janë rezervuar për Kosovën nga 85 milionë euro për që janë ndarë për financimin e ekonomisë së gjelbër në Ballkanin Perëndimor”, tha Apostolova.

Dren Krypa, zëvendësdrejtor menaxhues i TEB Bankës në Kosovë tha se kjo bankë në bazë të programit për ekonomi të gjelbër do të ofrojë një kredi unike në Kosovë.

“Kredia e Gjelbër është një produkt unik në tregun e Kosovës që u ofrohet klientëve individualë në rritjen e kursimit te energjisë. Me anë të kësaj kredie mundësohet financimi i ndërtimit apo renovimit të objekteve rezidenciale me qëllim të kursimit të energjisë”, tha Krypa.

Edhe Apostolova foli për kursim energjie.

“Efiçienca e energjisë është parimi parësor i projektit të BE. Së bashku identifikojmë mangësitë për t’i mbuluar. Ne kemi ofru konsulencë për të ndihmu 6 vende të Ballkanit Perëndimor”, tha Apostolova.

Ndërsa Vahdet Anadolli kryeshef ekzekutiv i Agjencionit për Financim në Kosovë tha se në bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ky agjencion ka investuar 3 milionë euro.

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) kishte kërkuar izolimin e shtëpive të kosovarëve për kursim energjie nga ekzekutivi i vendit, pasi kishte konstatuar se 70 për qind të shtëpive janë të paizoluara.